Lidhje

Mekejn kritikon Obamën për anullimin e vizitës tek ushtarët e plagosur


Kandidati demokrat për president Barak Obama hodhi poshtë kritikat e fundit të republikanëve mbi turneun e tij jashtë vendit para se të kthehej për në Shtetet e Bashkuara të shtunën. Zoti Obama la të kuptohej se mbështetja për të mund të binte gjatë ditëve të ardhshme, duke thënë se ai kishte qenë jashtë vendit për një javë ndërsa njerëzit shqetësoheshin për çmimet e naftës dhe humbjet e shtëpive të tyre. Megjithatë senatori Obama ritheksoi se udhëtimi i tij ishte i rëndësishëm sepse shumë prej probleme me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara nuk do të zgjidhen aq me efikasitet pa ndihmën e partnerëve të fuqishëm jashtë vendit.


Në sulmet e fundit kundër zotit Obama, fushata e kandidatit republikan për president Xhon Mekejn e kritikoi ashpër senatorin Obama për anullimin e vizitës tek ushtarët e plagosur amerikanë në Gjermani, duke thënë se ai kishte zgjedhur udhëheqësit e huaj dhe europianët entuziastë në vend të heronjve të plagosur amerikanë.

Një reklamë e re që filloi të transmetohej të shtunën e qortonte zotin Obama se kishte treguar mungesë respekti duke gjetur kohë të shkonte në palestër gjatë vizitës së tij në Europë në vend që të vizitonte trupat e plagosura.

Siç duket Pentagoni nuk e ka lejuar të merrte kamera me vete, thoshte reklama televizive që po transmetohet në Kolorado, Pensilvani dhe Uashington DC. Ndërsa Xhon Mekejn është gjithnjë pranë trupave tona.

Fushata e zotit Obama e quajti reklamën shumë të papërshtatshme. Zëdhënësi i fushatës tha se vizita në spitalin ushtarak në Gjermani u anullua pasi Pentagoni ngriti shqetësimin e ndërmarrjes së veprimtarive politike në një bazë ushtarake. Megjithatë, para se të ndodhte kjo, fushata e zotit Obama kishte thënë se vizita e tij mund të shihej se politizim i papërshtatshëm. Ndërsa Pentagoni vetë tha se senatorit nuk i është thënë që të mos e bënte vizitën.

Duke dalë nga takimi me kryeministrin britanik Gordon Braun, senatori Obama tha se ai nuk donte kurrsesi që ushtarët e plagosur apo të tjerë të përfshiheshin në debatin nëse vizita ishte diçka politike apo jo, si dhe të gjendeshin në mes të zjarrit të fushatave të ndryshme.

Zoti Mekejn tha në një intervistë për rrjetin televiziv ABC se nëse ai vetë do të kishte dashur të vizitonte trupat, por Pentagoni nuk do ta kishte lejuar, ai do të ishte revoltuar jashtë mase.

Republikanët e kanë sulmuar disa herë senatorin Obama gjatë gjithë udhëtimit të tij, ndërsa fushata e zotit Mekejn u shpreh kohëve të fundit se demokrati Obama kishte bërë një hap të parakohshëm fitoreje meqenëse mbeten edhe më shumë se 100 ditë të tjera deri në fund të fushatës presidenciale.

Kritikat u bënë ndërkohë që fushata e zotit Mekejn përpiqet të tërheqë vemendjen e medias e cila është përqendruar intensivisht në turneun e zotit Obama në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Por zoti Mekejn thuajse e provokoi vetë zotin Obama për udhëtimin jashtë vendit duke thënë se rivali i tij ishte naiv në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare.

Vetë zoti Mekejn pati vështirësi të tërhiqte vëmendjen e medias gjatë javës që zoti Obama vizitoi Irakun, Afganistanin, Izraelin dhe Europën ndërkohë që përpiqej t'i siguronte votuesit amerikanë se është në gjendje të trajtojë çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të rregullojë marrëdhëniet me aleatët e mërzitur nga tetë vjetë të administratës së presidentit Bush. //bsa//

XS
SM
MD
LG