Lidhje

Ashdaun: Bosnjë-Hercegovina më pranë rrezikut të ndarjes


Ish përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar i Bosnjë Hercegovinës, Pedi Ashdaun, thotë se vendi është më pranë rrezikut të ndarjes seç ka qenë që nga lufta e viteve 1992-95, dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë masa për të parandaluar ndarjen.

Në një shkrim të publikuar në gazetën “The Observer” sot, zoti Ashdaun thotë se Republika Serbe, një nga dy entitetet politike të Bosnjës, së bashku me Federatën myslimano-kroate, ka vendosur institucione paralele dhe po punon aktivisht për ndarjen.

Ai thotë se nëse serbët ndahen nga Bosnja, atëherë kroatët etnikë të përqendruar në jug do të ndiqnin shembullin e tyre, dhe kjo do të rezultonte në një shtet të cunguar mysliman dhe të rrethuar nga fqinjë armiqësor.

Zoti Ashdaun arrin në përfundimin se Bashkimi Evropian duhet të forcojë politikën e tij ndaj Bosnjës dhe të përdorë dëshirën e vendit për t’u anëtarësuar në BE për të nxitur ndryshimet kushtetuese dhe luftën kundër korrupsionet e cila ka filluar përhapet. //bsa//

XS
SM
MD
LG