Lidhje

India rrit masat e sigurisë pas bombave të së shtunës


Qytetet e mëdha në Indi janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie pasi një seri shpërthimesh në pjesën perëndimore të vendit la të paktën 45 të vrarë.

Policia tha se të paktën 16 bomba shpërthyen të shtunën në disa zona me popullsi të dendur në qytetin Ahmed-abad në shtetin Gujarat. Më shumë se 160 vetë u plagosën.

Policia thotë se të paktën dy bomba të pashpërthyera u gjetën dhe u çaktivizuan sot në qytet. Ushtria indiane zhvilloi një marshim ushtarak për të demonstruar autoritetin sot në Ahmed-abad, ndërsa masat e sigurisë u intensifikuan në qytetet e mëdha.

Televizioni indian njoftoi se një grup pak i njohur me emrin Muxhahedinët Indianë morën përgjegjësinë për bombat përmes një mesazhi elektronik. Policia tha se njësia anti-terroriste bastisi një shtëpi në qytetin e Bombei, prej ku besohej se ishte dërguar mesazhi. Policia tha se rreth 30 persona janë ndaluar për t’u marrë në pyetje.

XS
SM
MD
LG