Lidhje

Kryeministri i Turqisë Erdohan bën thirrje për unitet kombëtar


Kryeministri i Turqisë, Reçep Tajip Erdohan, bëri thirrje për unitet kombëtar pas një shpërthimi të dyfishtë të djelën në Stamboll, nga i cili u vranë 17 veta dhe u plagosën 150 të tjerë.

Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por Guvernori i Stambollit, Muamer Guler, tha se me sa duket sulmet kishin lidhje me grupin kryengritës rebel, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Ky grup ka mohuar çdo ndërlikim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmet dhe u zotua të mbështesë Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit.

Kryeministri Erdogan u kërkoi sot qytetarëve të vendit që të qëndrojnë të bashkuar, ndërkohë që Gjykata e Lartë e vendit diskuton nëse do ta ndalojë apo jo Partinë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim nga pjesëmarrja në politikë.

Krye-prokurori i Turqisë e ka akuzuar partinë në pushtet se po përpiqet të ndryshojë qeverinë laike të Turqisë në një sundim islamik.

Ai ka kërkuar gjithashtu që gjykata të ndalojë pjesëmarrjen në politikë të 70 anëtarëve të kësaj partie, përfshirë edhe Presidentin Abdullah Gul dhe kryeministrin Reçep Erdohan. Partia në pushtet ka hedhur poshtë akuzat. (ze)

XS
SM
MD
LG