Lidhje

Rose Dosti: Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit duhen hapur

  • Intervistoi: Ikonomi

Rose Dosti, gazetarja me origjinë shqiptare e "Los Anxheles Tajmsit", është autore e qindra artikujve dhe e disa librave që flasin kryesisht për jetën e amerikanëve. Tani, ajo i ka vënë vetes detyrën e vështirë për të mbledhur, arkivuar dhe publikuar dëshmitë e ish të përndjekurve të regjimit komunist në Shqipëri. Ashtu siç janë mbledhur mijra historitë e Holokaustit që sot mbahen të arkivuara në pjesë të ndryshme të botës. Zonja Dosti ishte para pak ditësh në studiot e Zërit te Amerikës.

Zëri i Amerikës:Cila mendoni se është rëndësia e projektit tuaj?

Rose Dosti:Në Shqipëri ka patur 50 mijë të burgosur politikë, njerëz që kanë qenë të burgosur, të internuar, që u torturuan, u pushkatuan ose u varën gjatë regjimit komunist 50 vjeçar. Historitë e tyre nuk janë treguar dhe duhen treguar. Ato duhen regjistruar për të dëshmuar të vërtetën historike, për qëllime arkivimi, në mënyrë që studiuesit, mësuesit, nxënësit apo artistët të mund të frymëzohen prej tyre.

Zëri i Amerikës:Cili është qendrimi i shoqërisë shqiptare sot ndaj asaj që ka ndodhur gjatë 50 viteve të regjimit të Hoxhës?

Rose Dosti:Mendoj se ata janë të traumatizuar prej kësaj. Nuk ishin vetëm 50 mijë njerëz në një popullsi 1,5 milionëshe që u prekën prej saj. Mendoj se u prek i tërë vendi, i cili u kthye në një shtet burg. Sot ata nuk dëshirojnë të mendojnë për të kaluarën, ata duan të vazhdojnë jetën e tyre, të marrin pjesë në botë, sepse nuk e kanë patur këtë privilegj për 50 vjet kohë gjatë së cilës ishin të izoluar nga bota. Bota nuk e dinte se cilët ishin ata dhe ende nuk e di sepse për shqiptarët nuk flitet shumë përveç rasteve kur ata shfaqen në lajme, për shembull kur ndodh ndonjë shpërthim si ai i Gërdecit.

Zëri i Amerikës:Ju sapo jeni kthyer nga Shqipëria. Cila është përvoja juaj në bisedat me ish të burgosurit? A ishin ata të gatshëm të tregonin historitë e tyre?

Rose Dosti:Ata duan t'i tregojnë historitë e tyre por jo publikisht. Ata kanë jetën e tyre priate dhe duan t'i tregojnë historitë e tyre në atë mënyrë që unë të kuptoja se çfarë kishin hequr.

Zëri i Amerikës:Dhe përse jo publikisht?

Rose Dosti:Ata nuk duan që emrat e tyre të lakohen. Shqiptarët janë njerëz shumë konservatorë dhe kërkojnë privaci, nuk duan që të tjerët të përmendin emrat e tyre. Nga ana tjetër, ata duan që këto histori të dëgjohen dhe unë mendoj se është me rëndësi të madhe që këto histori të dokumentohen.

Zëri i Amerikës:Personalisht, përse ju intereson historia e ish të përndjekurve në Shqipëri?

Rose Dosti:Prindërit e mij ishin shqiptarë dhe shqiptarë shumë patriotë. Burri im ishte shqiptar. Vjehrri im, Hasan Dosti ishte kryetar i Gjykatës Supreme përpara se të vnin në fuqi komunistët. Këta njerëz jetuan në Amerikë ndërkohë që vëllezërit, motrat apo fëmijët e tyre në Shqipëri u arrestuan u burgosën apo u internuan nga komunistët për 47 vjet. Është e natyrshme që interesim im për këtë temë të jetë shumë personal. Nga ana tjetër, si gazetare, unë e shoh këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme historike, e cila duhet regjistruar. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë periudhë.

Zëri i Amerikës:Le të flasim për një temë mjaft të nxehtë, një temë që është bërë e përhershme në shoqërinë shqiptare. Duhen hapur apo jo dosjet e ish Sigurimit?

Rose Dosti: Mendoj se të zbulosh është diçka me shumë rëndësi. Dosjet duhen hapur, duhen publikuar dhe kjo çështje duhet përfunduar një herë e mirë. Kjo do t'i bëjë njerëzit që vërtet të ecin përpara me jetën e tyre. Një ditë kjo do të bëhet.

Zëri i Amerikës:Kush e pengon këtë proces?

Rose Dosti:Kjo pengohet nga vetë njerëzit që kanë frikë nga e kaluara e tyre, të cilët ndoshta nuk duan që të tjerët të dinë për ato që kanë bërë në të kaluarën.

Zëri i Amerikës:Çfarë do të sillte hapja e dosjeve?

Rose Dosti:Shumë pështjellim dhe akuza të ndërsjella, shumë zemërim, shumë hidhërim por në të njëjtën kohë ky mund të jetë një proces shërimi. Nuk jamë psikologe por mendoj se mund të jetë diçka e mirë. Mendoj se e vërteta është e më e rëndësishme se sa pasojat.

Zëri i Amerikës:Cilat janë planet tuaja konkrete për dëshmitë e ish të përndjekurve?

Rose Dosti:Ne shpresojmë ta zgjerojmë këtë dokumentar prej 12 minutash në një film të plotë i cili do të japë pak histori dhe do të tregojë për atë që u ndodhi këtyre njerëzve gjatë 50 vjetëve të regjimit komunist. Në këtë mënyrë të rinjtë do ta shikojnë atë, studiuesit do të lexojnë dëshmitë dhe do të shërbejë si frymëzim për shkrimtarët dhe artistët. Pikërisht ashtu si njerëzit që studiojnë dëshmitë e viktimave të Holokaustit në Fondacionin Shoah. Në Los Anxheles ka një bibliotekë të shkëlqyer me mijra e mijra dëshmi të ish viktimave të Holokaustit, e cila tani është histori e dokumentuar.

Zëri i Amerikës:Dhe përse jo Shqipëria...

Rose Dosti: Përse jo Shqipëria. Nuk ishte një spastrim racor por ishte një spastrim politik dhe këta njerëz meritojnë të kenë dëshmitë e tyre të dokumentuara.

Zëri i Amerikës:Dhe ky është një brez që po shuhet me shpejtësi.

Rose Dosti:Shumë shpejt. Ata janë në të gjashtëdhjetat apo shtatëdhjetat pra është me shumë rëndësi që t'i kapim sa më shpejt. Shumë prej tyre janë larguar nga vendi dhe historitë e tyre po zhduken. Shpresoj që përmes internetit, shumë nga këto histori do të mund të regjistrohen dhe do të vendosen në këtë arkiv. Është një punë tepër e madhe. Unë jam një e vetme që po përpiqem ta filloj atë.

Zëri i Amerikës:A gjetët shumë mbështetje në Shqipëri për projektin tuaj?

Rose Dosti:Jo dhe aq. Ua tregova disa studentëve dhe ata më thanë: "Oh, po ashtu ishte sistemi atëhere, nuk kishe ç'bëje. Pastaj të paktë ishin ata që u persekutuan". Unë u thosha: "Jo, nuk ishin pak. Në përpjestim me popullsinë prej 1,5 milion, 50 mijë njerëz janë shumë". //ii

XS
SM
MD
LG