Lidhje

Denveri përgatitet për Kuvendin Kombëtar të Demokratëve


Në fund të gushtit, 50 mijë vetë do të mblidhen në Denver për të marrë pjesë në Kuvendi Kombëtar i Demokratëve. Mes tyre do të jenë delegatë nga çdo shtet amerikan, si dhe 15 mijë gazetarë. Qyteti ku do të mbahet Kuvendi është i angazhuar me përgatitjet për t’u vënë në qendër të vëmendjes botërore për 4 ditë me radhë, nga 25 deri më 28 gusht.

Daniel Gomez është një nga punonjësit e turizmit në zonën turistike me pika argëtimi dhe dyqane, ndër më të vizituarat në qytetin e Denverit. Pozicioni pranë vargmaleve Rocky Mountains është një nga avantazhet e qytetit, gjë që ishte një ndër pikat tërheqëse për demokratët kur zgjodhën Denverin.

Pasi Partia e zgjodhi atë si vendin ku do të zhvillohet Kuvendi, Kameron Mudi u vu në krye të përgatitjeve. Ky organizator veteran i 4 kuvendeve presidenciale thotë se qyteti ka disa avantazhe të dallueshme ndaj qyteteve më të mëdha amerikane, një prej tyre, është fakti që ai tani ka një aeroport të ri dhe më të madh.

“Po ashtu, fakti që Qendra Pepsi, ku zhvillohet Kuvendi, është pranë qendrës së qytetit, na dha ne një mundësi për të patur një pamje të shkëlqyer të qytetit, kushtet e nevojshme të sigurisë dhe vend të mjaftueshëm për të parkuar”.

Denveri ka qenë organizator aktivitetesh edhe më të mëdha më parë, duke shfrytëzuar tre pallatet e sportit që ka në qendër të qytetit. Por Kuvendi i Demokratëve duket se do të jetë sfida më e madhe e sigurisë për qytetin, duke patur parasysh, që vetëm masat mbrojtëse do të kushtojnë 50 milionë dollarë. Kryetari i Bashkisë së Denverit, Xhon Hikenluper koordinon veprimet e zyrtarëve lokalë, shtetërorë dhe atyre federalë, një pjesë e madhe e të cilëve merret me protestuesit, por pa ushtruar dhunë.

“Si do të sigurohemi që kjo ngjarje të zhvillohet në kushte plotësisht të sigurta, por në të njëjtën kohë t’i lejojmë njerëzit të kënaqen? Duhet t’i lejojmë njerëzit të shprehen lirshëm, sepse këtu jemi në Amerikë”.

Në fillim të muajit korrik, ekipet e ndërtimitfilluan ta shndërrojnë Qendrën Pepsi, që zakonisht është arenë sportive, në një sallë për zhvillimin e takimeve politike dhe në një pikë qendrore për takimin 4-ditor. Zëdhënësja e Komisionit të Kuvendit Kombëtart të Denverit, Natali Uajth, thotë se salla do të ndryshojë plotësisht për këtë ngjarje.

“Disa nga stolat do të hiqen, por jo të gjithë. Ndryshimet më të mëdha ndoshta do t’i pësojnë vendet në tribunë, që do të transformohen në qendra të mediave, nga ku do të transmetohet drejtpërdrejt”.

Qyteti është i përkushtuar për organizimin e një kuvendi të gjelbërt, pa e ndotur ambjentin, duke përdorur energji alternative në Qendrën Pepsi, autobuzë hibridë dhe makina që përdorin me efikasitet energjinë, për transportin e delegatëve. Ekipet që punojnë për Kuvendin e Demokratëve dhe Komisionet Lokale përbëhen nga një numër shumë më i vogël njerëzish, krahasuar me numrin e vullnetarëve, si Xhons Iziomo, i lindur në Nigeri, i cili u regjistrua për të punuar si vullnetar, disa ditë pasi mori shtetësinë amerikane në mars të këtij viti.

“Jam tepër i emocionuar, sepse do të jem mes atyre personave që do të zgjedhin Presidentin e Amerikës. Jam i emocionuar që po bëhem pjesë e procesit historik”.

Iziomo është mes 26 mijë vetëve që kanë dalë vullnetarë për të punuar si shoferë, guida turistikë e punë të tjera, megjithëse në të vërtetë nevojiten vetëm gjysma e këtij numri. Zëdhënësi Kris Lopez i Komisionit Mikpritës lokal, thotë se ndjehet i inkurajuar nga mbështetja e madhe që po jepet për Kuvendin. Por ai shton se suksesi do të matet me ndikimin ekonomik që do të ketë Kuvendi, që vlerësohet të jetë 160 milionë dollarë dhe nga faktori tjetër, përshtypjet e njerëzve.

“Të enjten në mbrëmje, kur të përfundojë Kuvendi, ose të premten në mëngjes, duam të dëgjojmë përshtypjet e delegatëve, të medias dhe të të gjithëve që do të vijnë këtu, duam të na thonë, “Denver ka bërë një punë të shkëlqyer si vendi mirëpritës i Kuvendi, ky ka qenë Kuvendi më i bukur”.

Pas të gjitha përgatitjeve, më 28 gusht të gjithë sytë do të jenë drejtuar nga Senatori Barak Obama, kur të flasë në një tjetër pallat sporti, atë me 75 mijë vende, Invesko Filld, në Majëll Haj. Senatori Obama do të bëhet kandidati i parë modern që do të marrë emërimin e partisë së tij jashtë sallës së kuvendit. (ze)

XS
SM
MD
LG