Lidhje

Ekipi amerikan i futbollit për femra përgatitet për Lojërat Olimpike 

  • Kris Koks

Ekipi amerikan i futbollit për femra ka fituar medalje në të gjitha Lojërat Olimpike që kur futbolli për femra u fut për herë të parë në Lojërat Olimpike të Atlantës në vitin 1996. Amerikanët fituan medaljen e artë në Atlanta, të argjendtën në lojërat e Sidneit dhe të artën në Lojërat e Athinës në vitin 2004. Por pas renditjes në vendin e tretë vitin e kaluar në Kampionatin Botëror të Femrave në Kinë, filluan të bëhen ndryshime.

Një nga ndryshimet më të mëdha që ka parë ekipi amerikan i futbollit për femra është stili i lojës me traineren e re Pia Sundage. Ajo do që ekipi i saj të kontrollojë topin dhe të jetë në gjendje të vendosë ritmin e lojës.

48-vjeçarja është njeriu i parë i lindur jashtë vendit dhe gruaja e dytë që stërvit një ekip kombëtar. Para se ta merrte punën nëntorin e kaluar zonja Sundage i njihte shumë prej lojtareve amerikane, meqenëse më parë ishte kryetrainere e WUSA, e cila tani është liga profesionale e futbollit për femra. Në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar në Kinë, ajo ishte ndihmëse në stafin trainues kinez.

Për Lojërat Olimpike të Pekinit, zonja Sundage caktoi shtatë lojtare të reja që nuk ishin pjesë e ekipit gjatë Kampionatit Botëror të Femrave vitin e kaluar, dhe caktoi tre të tjera për listën e ekipit kombëtar me profesionist.

Zonja Sundage është përpjekur të fusë pak nga stili i saj suedez në planin e ekipit dhe tha për Zërin e Amerikës se është e kënaqur me mënyrën se si janë përshtatur lojtaret si me atë ashtu edhe me stilin e saj.

"Duket sikur atyre u pëlqen. Dhe duket se edhe unë ju pëlqej atyre dhe ky është fillim i mirë. Pastaj, fakti që ato janë të interesuara dhe kurioze në këtë stil të ri suedez e bën punën më të lehtë. Unë jam guximtare dhe dua të bëj disa ndryshime, por edhe ata janë guximtare se duan të më ndjekin."

Bashkë-kapitenia Kejt Markgraf, një nga dy lojtaret e mbetura nga ekipi i Kampionatit Botëror të vitit 1999 do të marrë pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike dhe i tha Zërit të Amerikës se si ndjehet tani që punon me traineren Sandage.

"Pia sjell një ndjenjë qetësie. Ajo sjell një ndjenjë besimi dhe do që ne të luajmë futboll të bukur dhe po përpiqet të na mësojë pikërisht lojën e orientuar drejt kontrollit të fushës."

Megjithëse Markgraf dhe Kristi Rampon janë bashkë-kapitene, është e qartë se Ebi Uambah është ylli sulmues i ekipit amerikan të futbollit. Ajo shënoi katër gola në Lojërat Olimpike të Athinës, duke përfshirë edhe golin fitues në ndeshjen për medaljen e artë kundër Brazilit. Megjithëse ka luajtur vetëm 125 ndeshje, 28-vjeçarja Uambah ka shënuar 99 gola.

Uambah i tha Zërit të Amerikës se e ka për nder të luajë për vendin e saj.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, por edhe me krenarinë kombëtare dhe kulturën. Dhe e di se të gjitha vendet që konkurojnë për medalje mendojnë kështu. Dua ta bëj popullin tim krenar të thonë se janë amerikanë."

Shtetet e Bashkuara kanë dalë përsëri si ekipi numër një i futbollit për femra dhe shkojnë në Lojërat e Pekinit si favoritë për të fituar medaljen e artë. Trainerja Sundage thotë se e kupton çfarë pritet, megjithatë e di se asnjë fitore nuk është e lehtë.

"Do të thoja se janë pesë apo gjashtë ekipe që mund të fitojnë medaljen e artë dhe Shtetet e Bashkuara janë mes tyre. Unë jam shumë e kënaqur me lojën tonë. Kemi ndryshuar dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për në Lojërat Olimpike."

Ekipi amerikan i futbollit për femra e luan ndeshjen e parë të Lojërave Olimpike të 2008-ës kundër Norvegjisë me gjashtë gusht, dy ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes së Lojërave Verore të Pekinit. //bsa//

XS
SM
MD
LG