Lidhje

Projektligji për tregun e shtëpive pret miratimin e Presidentit


Qeveria amerikane dhe katër banka të mëdha mbështetën një propozim të ri për të financuar tregun e pronave të patundëshme. Propozimi vjen pak ditë pas projektligjit të miratuar nga Senati, i cili parashikon 300 miliard dollarë për të shpëtuar nga falimentimi mijra njerëz që kanë blerë shtëpi por nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë. Për t’u kthyer në ligj, projektligji pret nënshkrimin e Presidentit.

Me rënien në tregun e shtëpive, investuesit kanë humbur miliarda dollarë aksione. Tani, administrata ka propozuar një mënyrë të re për të futur para të tjera në treg. Plani ka të bëjë me përdorimin e letrave me vlerë të mbështetura nga bankat e mëdha për të thithur financime të reja që do të stabilizonin tregun e goditur rëndë të shtëpive. Plani i paprecedent për të shpëtuar kredimarrësit kaloi me lehtësi në Senat. Ai u hodh në votë gjatë fundjavës, diçka që ndodh rrallë në Kongresin amerikan. Senatori demokrat, Kristofer Dod, tha se votimi tregon që senatorët e të dyja partive janë në gjendje të bashkëpunojnë.

"Kjo i dërgon popullit amerikan mesazhin se Kongresi, megjithë emrin që ka për të kundërtën, mund t’i realizojë ato që duhen."

Ligji e zgjeron sferën e mbështetjes qeveritare për firmat gjigande që japin kredi shtëpish, Fannie Mae dhe Freddie Mac. Ai ndihmon gjithashtu rreth 400 mijë familje përballë falimentimit që të shkëmbejnë kreditë e shtrenjta me hua të mbështetura nga qeveria të cilat janë më të përballueshme. Ligji pritet të hyjë në fuqi në tetor, sapo të jetë nënshkruar nga Presidenti Bush. Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino u tha gazetarëve se ligji do të vihet në zbatim pa bujë.

"Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë sa më shpejt. Programi i presidentit është tepër i ngjeshur dhe ne nuk organizojmë ceremoni për çdo ligj që nënshkruhet."

Gjatë javëve të debatit, disa republikanë e kritikuan presidentin se hoqi dorë nga kërcënimi i mëparshëm për t’i vënë veton projektligjit. Senatori Jim Bunning thotë se projektligji shpërblen bankat e papërgjegjshme.

"Dje, kur u zgjova, mendova se isha në Francë. Por jo. Pashë se kishte ardhur socializmi këtu në Shtetet e Bashkuara", u shpreh ai.

Por të tjerë e quajnë projektligjin një hap të parë pozitiv për të ndalur falimentimet në rritje të kredimarrësve. Ja si shprehet ish sekretari i Departamentit të Strehimit, Henry Cisneros.

"Kjo mund të na ndihmojë për ta zgjidhur pjesërisht problemin. Ishte me rëndësi fakti që qeveria nuk ndënji duarkryq."

Një kategori që nuk do të përfitojë janë pronarët e shtëpive tashmë në procedurat e falimentimit.

Projektligji gjithashtu nuk pritet të ndalë valën e falimentimit të bankave. Të premten, autoritetet federale morën nën kontroll edhe dy banka të tjera të prekura nga humbjet. //kk//

XS
SM
MD
LG