Lidhje

SHBA: Administrata parashikon nivel rekord të deficitit buxhetor


Administrata e Presidentit Bush thotë se rritja e deficitit buxhetor do të vazhdojë, dhe pritet të thyejë edhe rekordin që u shënua 4 vjet më parë. Në një raport për Kongresin, administrata e Presidentit Bush thotë se shpenzimet federale do t'i kalojnë të ardhurat prej 389 miliardë dollarësh për këtë vit dhe pritet që në vitin buxhetor 2009 të arrijnë shifrën rekord 482 miliardë dollarë. Shifrat nuk përfshijnë koston e operacioneve ushtarake në Irak dhe Afganistan.

Drejtori i Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, Xhim Nasle, thotë se ngadalësimi i ritmeve ekonomike, i ndërthurur me koston e paketës së stimujve ekonomikë, janë shkaktarët kryesore të rritjes së fundit të deficitit.

"Në fillim të këtij viti, Presidenti dhe Kongresi, në frymën e bashkëpunimit dypartiak, dolën në përfundimin se ekonomia kërkonte masa agresive, dhe vendosën që të rrisin përkohësisht deficitin në mënyrë që njerëzit të kishin më shumë para në dorë, dhe kjo si rezultat do të rriste konsumin."

Pavarësisht nga shifrat kolosale të deficitit, administrata vë në dukje se, kur shprehet si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, deficiti federal vitin e ardhshëm do të jetë më i vogël se në vitin 2004, kur deficiti arriti shifrën 400 miliardë dollarë.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino thotë se Presidenti Bush është i vendosur të vërë në zbatim politika më të rrepta fiskale për të kufizuar shpenzimet qeveritare, ndërkohë që ndjek një strategji për nxitjen e rritjes ekonomike:

"Presidenti Bush është përpjekur t'i bëjë qëndresë Kongresit dhe të mos rrisë taksat mbi amerikanët apo shpenzimet qeveritare pa nevojë. Ai nuk ka nguruar t'u vërë veton një numër projekt-ligjesh."

Zëdhënësja Perino nënvizon se kostoja e masave të mbrojtjes dhe sigurisë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 është një barrë e madhe financiare mbi vendin, por shton se këto janë shpenzime të duhura dhe jetike.

Kur Presidenti Bush u zgjodh në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara kishin një suficit buxhetor prej 128 miliardë dollarësh. Kritikët e presidentit vënë në dukje se Xhorxh Bushi ishte i pari president në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili uli taksat në një kohë kur vendi kishte hyrë në luftë.

Kryetari i Komisionit për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Xhon Spret citohet të ketë kritikuar ashpër "trashëgiminë tragjike" fiskale të zotit Bush, që shndërroi suficitin buxhetor në deficit rekord.

Administrata parashikon se Shtetet e Bashkuara nuk do të bien në krizë ekonomike, ndërkohë që vazhdojnë ritme të ulëta të rritjes ekonomike, e cila këtë vit u rrit 1 presje 6 për qind. Administrata thonë se parashikon që deficiti do të bjerë ndjeshëm pas vitit 2009, duke e kthyer vendin në rrugën ku synonte Presidenti Bush, për balancimin e buxhetit brenda vitit 2012. //ad//

XS
SM
MD
LG