Lidhje

Përkrahësit e Radovan Karaxhiçit protestojnë në kryeqytetin e vendit, Beograd


Përkrahësit e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç janë mbledhur në Beograd për një manifestim, ku po dënohet arrestimi i tij javën e kaluar nën akuza për krime lufte.

Organizatorja e manifestimit, Partia ultranacionaliste Radikale Serbe, shpresonte për një pjesëmarrje të madhe të përkrahësve, të cilët e konsiderojnë Karaxhiçin si hero lufte. Por policia llogariti se rreth 15 mijë veta ishin të pranishëm në fillim të manifestimit. Gjykata e Hagës ka ngritur akuza kundër Karaxhiçit për gjenocid dhe krime të tjera lufte për rolin e tij në vrasjen më 1995 të 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë.

Presidenti Boris Tadiç mbështeti të drejtën e të gjithë njerzve për të demonstruar në mbështetje të pikpamjeve të tyre, por ai insistoi për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit dhe tha se protesta duhet të jetë paqësore.

Ambasada amerikane në Beograd u kërkoi amerikanëve që të qëndrojnë larg vendit të manifestimit dhe rrugëve përreth.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shtyrë vendimin për përmirësimin e marrëdhënieve tregëtare me Serbinë, deri sa Beogradi të ekstradojë në Hagë Radovan Karaxhiçin.

Avokati i Karaxhiçit tha se e apeloi ekstradimin e klientit të tij në Gjykatën e Hagës. Dokumentat nuk kanë arritur ende në Hagë. Avokati konfirmoi se ai nuk donte që ekstradimi të bëhej para protestës së sotme në Beograd. (ze)

XS
SM
MD
LG