Lidhje

Sek. Rajs, bisedime trepalëshe me palestinezët dhe izraelitët


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rajs u takua me zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë të martën në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh të mërkurën me kryenegociatorët e dy palëve. Zyrtarët thonë se zonja Rajs shpreson të arrijë sa më shumë përparim që të jetë e mundur në procesin e paqes brenda periudhës së mbetur të administratës së presidentit Bush.

Palët nga Lindja e Mesme u zotuan në konferencën e nëntorit të kaluar në Anapolis që të bëjnë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje deri në fund të vitit 2008. Por ndërkohë që zonja Rajs përgatitej për bisedimet trepalëshe, ndihmësit e saj nuk treguan shumë entuziazëm për rezultatet që priten.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormek u tha gazetarëve se synimi i Sekretares së Shtetit, së cilës i mbeten më pak se gjashtë muaj në këtë post, është t’i nxisë bisedimet sa të mundet dhe sa të ecin, por të paktën t’i dorëzojë një proces që mund të zgjidhet administratës së ardhshme amerikane.

“Ajo do të vazhdojë të kërkojë një marrëveshje. Ajo do të kërkojë përparim në detyrimet e planit të paqes. Kjo nuk do të thotë se ajo apo kjo administratë do të tregohen të papërgjegjshëm në këtë proces. Nuk duam ta shtyjmë procesin në një pikë ku gjithçka të prishet në mënyrë të pandreqshme dhe të mbyllim mundësinë e një zgjidhjeje mes dy palëve.”

Komentet e zotit Mekormek rreth rrezikut të prishjes së bisedimeve ishin referencë e qartë ndaj përpjekjeve amerikane për paqe në fund të administratës së presidentit Klinton.

Presidenti Klinton i bëri presion kryeministrit të atëhershëm Ehud Barak dhe udhëheqësit të ndjerë palestinez Jaser Arafat të arrinin një marrëveshje për paqe gjatë muajve të fundit të mandatit të tij, vetëm për të parë çdo përpjekje të dështonte dhe marrëdhëniet mes palëve të prishen si dhe fillimin e Intifadës së dytë palestineze.

Zoti Barak,i cili është ministër i mbrojtjes në qeverinë e tanishme të Izraelit, u takua me zonjën Rajs të martën në mëngjes në një takim të gjatë ku u diskutua si procesi i paqes ashtu edhe çështjet e sigurisë rajonale, duke përfshirë kërcënimet iraniane ndaj Izraelit.

Në një bisedë me gazetarët, zoti Barak tha se Izraeli, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, po përpiqet t’u shtojë negociatave përpjekjet për përmirësimin e aftësive të sigurisë të Autoritetit Palestinez.

“Ne po përpiqemi të sigurojmë popullatën tonë kundër sulmeve terroriste, dhe në të njëjtën kohë t’u japim palestinezëve shanse si dhe t’i ndihmojmë të ndërtojnë institucionet dhe kapacitetet e zbatimit të ligjit duke filluar nga një polici e fortë, shërbime zbulimi, sistem burgjesh, gjykatash që funksionojnë të paktën në bazë të një standarti të Lindjes së Mesme, nëse nuk arrihet standarti e vendosur në Merilend.” //bsa//

XS
SM
MD
LG