Lidhje

Prishtina reagon ndaj vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë


Autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si spektakle vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Reagimet e udhëheqësve institucionalë të vendit u bënë ndërsa ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq qëndronte në Kosovë për bisedime me shefin e UNMIK-it Lamberto Xanier.

Ky është takimi i dytë ndërmjet zyrtarëve të UNMIK-ut dhe atyre serbë, i cili u paraprin bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për siç është thënë çështje të interesit të përbashkët.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi e quajti të drejtë të ligjshme interesimin e vendeve fqinje për minoritetet përkatëse në Kosovë, por ai tha se Serbia e di se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.

"Unë nuk mund t'i ndaloj dhe as që pretendoj t'i ndalojë këto spektakle të cilat Beogradi pretendon t'i bëjë në emër të Kosovës, apo të luhet me ndjenjat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës. Unë kam vetëm një porosi për Beogradin që të orientohen më tepër për integrim ne BE dhe strukturat tjera euroatlantike dhe natyrisht t'ua lehtësoi integrimin serbëve shtetas të Kosovës në institucionet e Prishtinës”, tha kryeministri Thaçi.

Para takimit me ministrin serb, Shefi i UNMIK-ut, tha se roli i tij në bisedimet e reja Prishtinë Beograd shërben vetëm si urë lidhëse, siç tha ai, në lehtësimin e bisedimeve ndërmjet dy komuniteteve.

"Në dialogun me Beogradin unë e shoh qëndrimin tim si lehtësues të këtij dialogu. Nuk e shoh veten si negociator apo si pjesë e këtyre negociatave. Unë do të shoh se cilat janë idetë dhe sugjerimet e përfaqësuesve të Beogradit dhe do t'i informoj autoritetet në Prishtinë. Do t'i marr reagimet në Prishtinë dhe t'i dërgoj në Beograd", tha zoti Xanier, qëllim i të cilit janë bisedimet e drejtpërdrejta, siç tha ai, për zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy vendeve.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të parapara në planin e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për ri konfigurim, do të duhej të përqendroheshin në disa fusha përfshirë edhe çështjet e policisë dhe të drejtësisë. Autoritetet në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të filluar këto bisedime me Serbinë por vetëm si dy shtete të pavarura.//kk//

XS
SM
MD
LG