Lidhje

Në kerkim të menyrave të reja për të kursyer energji


Punonjësit e bashkisë së Birmingamit nuk përfituan këtë vit rritjen e zakonshme të pagave prej 4 % që jepet si kompensim për rritjen e kostos së jetesës. Në vend të kësaj, ata morën diçka që pothuajse çdo njeri mendon se është më e mirë; katër ditë në javë punë.

Kjo praktikë e re filloi të zbatohej në 1 korrik, dhe Karolin Tërnër, e cila ka 8 vjet që punon në bashki, thotë se ka filluar të shohë përmirësime në zyrën e saj.

“Shumica e njerëzve që takoj në mëngjes kur vij në punë e pëlqejnë këtë. Ata janë të kënaqur, energjikë dhe entusiastë. Arësyeja mund të jetë se kjo është diçka e re dhe e pëlqyeshme, por të gjithë duket se ndjehen më të freskët.”

Shumica e bizneseve në Amerikë punojnë 8 orë në ditë, 5 ditë në javë. Por ideja për një ditë më të gjatë dhe një javë më të shkurtër pune për të kursyer karburant dhe para është duke fituar popullaritet në zyrat e pushteteve lokale dhe atyre shtetërore në të gjithë vendin.

Në shtetin Uiskonsin, punëtorët e rrugëve po punojnë më pak ditë, 80% e punonjësve në qeverinë e shtetit Utah do të fillojnë muajin e ardhshëm orarin me 4 ditë dhe ligjvënësit në shtetet Alaskë, Arkansa, Aidaho dhe Nju Meksiko janë duke parë mundësinë për kalimin e punonjësve qeveritarë në javën me 4 ditë pune.

Megjithatë, zyrat e bashkisë së Birmingamit do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë javës, dhe jo siç ndodh në qytetin Avondeill, të shtetit të Arizonës që ka të njëjtin orar, ku tani zyrat janë të mbyllura të premten. Deborah Vance, kryekëshilltare e kryetarit të bashkisë, thotë se pjesëmarrja në planin me 4 ditë është sipas dëshirës dhe shumica e departamenteve, me përjashtim të policisë dhe zjarrfikësve, kanë vendosur të ndryshojnë oraret.

“Kemi kërkuar që dita e pushimit të jetë e hëna dhe e premtja, por ka raste që njerëzit kërkojë të martën, të mërkurën ose të enjten. Ne nuk do të mbyllim zyrat për ta bërë këtë”.

Për zonjën Carolyn Turner, dy orë më shumë punë në ditë do të thotë që të zgjasësh orët e shërbimit para dhe pas orarit zyrtar dhe kjo nuk e bezdis atë kur mendon se do të ketë një ditë më shumë pushim.

Ndërkohë, java e shkurtër e punës ndihmon punonjësit e bashkisë të kursejnë benzinë, por sipas zonjës Vance, kjo ka një ndikim më të madh në qeverinë lokale, i kursen qytetarëve dyfishin, pasi me taksat e mbledhura prej tyre paguhen lëndët djegëse të shpenzuara për nevojat e qytetit.

“Një pjesë e madhe e kursimeve nga karburantet vjen nga sektori i shërbimeve publike, të cilët konsumojnë më shumë se ¼ e karburantit që ne përdorim. Nëse sektori i shëbimeve publike, që është më i madhi, merr pjesë në plan, deri në fund të vitit do të shohin konkretisht kursimet në karburant.”

Kursimet parashikohen të arrijnë në 1 milion dollarë, por zonja Vance thotë se ka dhe përfitime për mjedisin, pasi në qytete si Birmingami që nuk ka transport publik, sa më shumë makina të mos qarkullojnë, aq më pak gazra çlirohen, aq më mirë është për të gjithë zonën.

Kryetari i Bashkisë, Larry Langford, thotë se kjo ka përfitime sociale, veçanërisht në qytet si Birmingami, i cili përballet me kriminalitet të lartë.

“Tani ka më shumë nëna dhe baballarë në shtëpi që kalojnë kohën me fëmijët e tyre. E shoh këtë të luftojë krimin si dhe të kursej para. Sa më shumë prindër të jenë në shtëpi, një polic më pak për t’u punësuar.”

Sektorë të tjerë të ekonomisë, si sektori privat, gjithashtu kanë parë përfitime nga java me 4 ditë punë. Sipas një vëzhgimi të Shoqatës së Menaxhimit të Krahut të Punës, 1/4 e bizneseve në Amerikës janë duke ofruar orare fleksibël për punëtorët për të zbutur koston e karburantit. //kh//

XS
SM
MD
LG