Lidhje

OKB: numri i viktimave të Sidës ka rënë


Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara mbi epideminë e Sidës në botë arrin në përfundimin se përpjekjet për parandalimin dhe kurimin e kësaj sëmundjeje dhe të virusit HIV, që e shkakton atë, u shtuan ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërkohë që numri i vdekjeve si pasojë e Sidës ka rënë. Por në raport thuhet gjithashtu se vitin e kaluar për çdo dy persona, të cilët iu nënshtruan kurave, pesë të tjerë u infektuan.

Drejtori i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Sidën, Peter Piot thotë se ky raport, më pozitivi që kur agjencia e tij filloi të ndjek trendet e kësaj epidemie."Kemi arritur më shumë rezultate në luftën kundër Sidës gjatë dy viteve të fundit sesa në 20 vitet e kaluara. Ne tani po hyjmë në një fazë të re në këto përpjekje, në fazën kur vazhdueshmëria e përpjekjeve tona është shumë e rëndësishme dhe duhet të sigurohemi se po veprojmë në periudhë afatgjate".

Zoti Piot tha se numri i vdekjeve nga Sida ka rënë për herë të parë në dy vitet e fundit, falë rritjes së programeve për parandalimin dhe kurimin. 3 milion njerëz në vendet në zhvillim marrin tani kura anti-retrovirale."Në disa vende ne kemi vërejtur se përpjekjet për parandalimin e HIV-it janë trefishuar, sidomos të popullata që më parë ishte neglizhuar".

Sipas raportit, numri i personave të infektuar ra në 2,7 milion, në krahasim me 3 milion në vitin 2001. Rënia ka qënë më e ndjeshme në vendet e Afrikës nën-sahariane, si Ruanda dhe Etiopia."Ka lajme të mira edhe për fëmijët. Numri i femrave shtatzëna me virus HIV, të cilat marrin kura anti-retrovirale, që parandalojnë infektimin e foshnjes, është rritur nga 14 në 33 përqind vetëm gjatë dy vjetëve të fundit".

Të rinjtë në disa vende, sidomos në Afrikë, kanë ndryshuar gjithashtu sjelljet e tyre. Toraia Obeid, drejtoreshë e fondit të Kombeve të Bashkuara për popullatën thotë se edukimi seksual është shumë i rëndësishëm në luftën kundër Sidës."Ka pasur përparim në shumë vende; të rinjtë kanë pasur mardhënie seksuale në një moshë më të madhe, ata kanë pakësuar numrin e partnerëve dhe kanë përdorur kontraceptivë. Por të rinjtë vazhdojnë të jenë të rrezikuar, sepse atyre u mungon informacioni i duhur për t'u mbrojtur".

Megjithë përparimin e bërë, zoti Piot thotë se për çdo dy persona që i nënshtrohen kurave, pesë të tjerë infektohen me virusin HIV. Ai thotë se disponimi i fonde është shumë i rëndësishëm për vazhdimin e këtij suksesi."Në botë ka rreth 33 milion njerëz të infektuar me virusin HIV. Në një moment të caktuar, ata duhet t'u nënshtrohen kurave, përndryshe do të vdesin".

Vitin e kaluar, thuhet në raport, 10 miliard dollarë ishin në dispozicion të programeve kundër Sidës dhe virusit HIV, por duheshin edhe rreth 8 miliard dollarë të tjerë. Në mënyrë që të vazhdohet me këtë nivel kurash, fondet duhet të shtohen me 50 përqind. Zoti Piot thotë se ai do të jetë në Shtëpinë e Bardhë kur presidenti Bush të nënshkruajë një ligj, në bazë të të cilit do të jepen 48 miliard dollarëve për pesë vitet e ardhshme në luftën kundër Sidës, tuberkulozit dhe malaries.//IB

XS
SM
MD
LG