Lidhje

Punësimet politike, problem për Departamentin e Drejtësisë


Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë i tha dje Kongresit se njëanshmëritë politike kanë qenë një problem serioz në praktikat e marrjes së njerëzve në punë në këtë departament. Ispektori tha se disa ndihmës kryesorë të ish Prokurorit të Përgjithshëm, Alberto Gonzales, kanë bërë diskriminim ndaj kandidatëve të lidhur me Partinë Demokrate gjë që është shkelje e ligjit. Në një numër rastesh, tha ai, janë zgjedhur kandidatë më pak të kualifikuar duke anashkaluar ata me më tepër përvojë.

Në dëshminë para Komisionit Juridik të Senatit, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, Glenn Fajn tha se një këshilltare kryesore e ish Prokurorit të Përgjithshëm, Monica Gudling, ka përdorur kritere partiake për marrjen në punë të juristëve dhe personave të tjerë në këtë departament.

"Kemi arritur në përfundimin se zonja Gudling rregullisht ka patur parasysh prirjet partiake për të marrë njerëzit në poste karriere në këtë departament, dhe kjo përbën kundravajtje dhe shkelje të ligjit federal për punonjësit civilë”.

Sipas zotit Fajn, Monika Gudling, e cila dëshmoi para një komisioni të Kongresit para një viti rreth një çështjeje tjetër, zgjidhte ata kandidatë që shiheshin si pro-republikanë apo që mbështesnin presidentin Bush, duke lënë mënjanë ata që për të ishin tepër liberalë. Ligji federal dhe praktikat e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që zyrtarët e karrierës të merren në punë në bazë të meritave dhe ndalojnë diskriminimin bazuar mbi prirjet partiake, siç vuri në dukje edhe kryetari i komisionit të Senatit, demokrati i shtetitg Vermont, Patrik Lejhi."Duke përzjerë politikën me marrjen në punë të juristëve të karrierës në poste të rëndësishme të këtij departamenti, kjo administratë i ka bërë një dëm serioz shtetit juridik."

Prokurori i Përgjithshëm i asaj periudhe, Alberto Gonzales, duket se nuk ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve, sipas Inspektorit të Përgjithshëm, Glen Fajn. Sipas tij, problemi ka qenë te mungesa e kontrollit.

"Ata u lejuan të zbatojnë veprime dhe ndryshime të tilla pa u kontrolluar, pa u mbikqyrur si duhet dhe kjo çoi në dëme mjaft serioze që iu bënë Departamentit të Drejtësisë."

Zoti Fajn foli për një rast në të cilin zonja Gudling refuzoi kandidaturën e një prokurori për luftën kundër terrorizmit, thjesht sepse gruaja e tij ishte aktiviste në Partinë Demokrate duke caktuar në këtë post një jurist me më pak përvojë. Senatori demokrat i Nju Jorkut, Çarls Shumer, tha se këto veprime janë me pasoja serioze.

"Faktet që po zbulohen janë jo thjesht një goditje ndaj emrit të këtij departamenti por ato prekin me sa duket edhe aftësinë tonë për ta mbajtur vendin të sigurt nga rreziqet."

Prokurori i Përgjithshëm, Majkëll Mukejsi, i cili i zuri vendin zotit Gonzales, bëri një deklaratë ku shprehte shqetësim të thellë rreth fakteve të zbuluara nga Inspektori i Përgjithshëm. Senatori i Pensilvanisë Arlen Spekter, republikani kryesor në komisionin juridik të Senatit, tha se Departamenti i Drejtësisë duhet tu kërkojë llogari personave përgjegjës.

"Sinqerisht, do të desha të shihja një deklaratë të fuqishme nga ana e Departamentit të Drejtësisë ku të shprehen me hollësi se çfarë synojnë të bëjnë dhe çfarë mendojnë për këtë çështje. Ata kanë përgjegjësinë e ndjekjes ligjore."

Zonja Gudling, e cila nuk punon më në këtë departament, si dhe juristë të tjerë që përmenden në raportin e inspektorit të përgjithshëm, mund të humbasin liçencën për të praktikuar ligjin. Zoti Fajn thotë se Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë hapa për të garantuar se në shqyrtimin e kandidatëve në të ardhmen nuk do të përdoren më konsideratat politike. //kk//

XS
SM
MD
LG