Lidhje

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç,doli përpara Gjykatës së Hagës


Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, doli për herë të parë para gjykatës së Hagës, për t’u përballur me akuza për genocid të ngritura për rolin e tij në luftrat në ish Jugosllavi në vitet 90-të.

Karaxhiçi hodhi poshtë ofertën për t’u mbrojtur nga një avokat i caktuar nga Haga, madje i tha trupit gjykues se ai do të vetëmbrohet. Ai tha gjithashtu se i duhet më shumë kohë për të shqyrtuar akt-padinë para se të deklaronte nëse e pranonte ose jo fajësinë. Ai ka tani 30 ditë në dispozicion për ta bërë një gjë të tillë.

Krye-gjykatësi lexoi të 11 akuzat e ngritura kundër Karaxhiçit për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për rolin e tij në mizoritë kundër jo-serbëve gjatë luftës së periudhës 1992-1993 në Bosnje Hercegovinë.

Karaxhiçi arriti në Hagë dje, 9 ditë pas arrestimit nga policia serbe në Beograd. Ai kaloi pjesën më të madhe të 12 vjetëve të fundit si një prej më të kërkuarve të botës. Autoritetet thanë se ai e kaloi një pjesë të kësaj kohe në Beograd, pasi ndryshoi ndjeshëm pamjen e tij, duke rritur mjekrën dhe flokët e bardhë.//kh//

XS
SM
MD
LG