Lidhje

Departamenti amerikan i Shtetit mohon pretendimet e Karaxhiçit për imunitet


Departamenti amerikan i Shtetit mohoi të ketë arritur një marrëveshje me ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, e cila do t’i jepte atij imunitet nga akuzat për krime lufte.

Karaxhiçi tha se Shtetet e Bashkuara e bënë ofertën e imunitetit në vitin 1996 gjatë negociatave pas luftës në Bosnje-Hercegovinë.

Karaxhiçi pretendon se arriti një marrëveshje me Ambasadorin amerikan, Riçard Holbruk për t’u zhdukur nga jeta publike në këmbim të një premtimi të Amerikës që ai të mos ndiqej penalisht nën akuzat për genocid.

Zoti Holbruk, i cili ndërmjetësoi në arritjen e marrëveshjes së paqes, e cila i dha fund luftës në ish Jugosllavi, tha dje për rrjetin televiziv CNN, se deklarata e Karaxhiçit është gënjeshtër.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shan Mekormek, tha se zoti Holbruk nuk arriti kurrë një marrëveshje me Karaxhiçin, që do ta mbronte atë nga arrestimi apo ndjekja penale.

Dje, i akuzuari për genocid dhe krime kundër njerzimit doli për herë të parë para gjykatës së Hagës, ku iu shqiptuan akuzat për genocid gjatë luftrave në ish Jugosllavi në vitet 90-të. Ai nuk pranoi të deklaronte nëse e pranonte ose jo fajësinë.

Dëshmitarët thonë se Karaxhiçi iu përgjegj me politesë pyetjeve të Gjykatësit Alfons Orie, ndërkohë që ai lexonte secilën nga 11 akuzat e ngritura kundër tij.

Karaxhiçi hodhi poshtë ofertën për t’u mbrojtur nga një avokat i caktuar nga Haga, madje i tha trupit gjykues se ai do të vetëmbrohet dhe i kërkoi atij 30 ditë kohë për të studjuar akuzuar para se të pranojë ose jo fajësinë. (ze)

XS
SM
MD
LG