Lidhje

Ambasadori Holbruk hedh poshtë si sajime pretendimet e Karaxhiçit


Departamenti amerikan i Shtetit mohoi të ketë arritur një marrëveshje me ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, e cila do t’i jepte atij imunitet nga akuzat për krime lufte. Karaxhiçi tha se Shtetet e Bashkuara e bënë ofertën e imunitetit në vitin 1996 gjatë negociatave pas luftës në Bosnje-Hercegovinë. Karaxhiçi pretendon se arriti një marrëveshje me Ambasadorin amerikan, Richard Holbrooke për t’u zhdukur nga jeta publike në këmbim të një premtimi të Amerikës që ai të mos ndiqej penalisht nën akuzat për genocid. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormick, tha se zoti Holbrooke nuk arriti kurrë një marrëveshje me Karadzic, që do ta mbronte atë nga arrestimi apo ndjekja penale. Zoti Holbrooke, i cili ndërmjetësoi në arritjen e marrëveshjes së paqes, e cila i dha fund luftës në ish Jugosllavi, tha të enjten për rrjetin televiziv CNN, se deklarata e Karaxhiçit është gënjeshtër.

Richard Holbrooke, diplomati amerikan që ndërmjetësoi Marrëveshjet e Dejtonit për Paqe, të cilat i dhanë fund konfliktit të Bosnjes hodhi poshtë pretendimet e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç.

Radovan Karaxhiç pretendon se kapja dhe nxjerrja e tij para gjyqit, shkelin një marrëvershje që ai kishte arritur në vitin 1996 me Shtetet e Bashkuara se paditë ndaj tij do të hiqeshin në se ai largohej nga politika dhe nuk minonte marrëveshjen e paqes për Bosnjen. Duke folur në Nju Jork, ambasadori Holbrook tha se ky është një trillim i vjetër i Karaxhiçit.

"Në qershor 1996 shkova në Beograd ku ndërmjetësova një marrëveshje me Millosheviçin dhe dy nga personat e afërt të Karaxhiçit. Në bazë të marrëveshjes, Karaxhiçi do të jepte dorëheqjen si president i pjesës serbe të Bosnjes dhe si kryetar i partisë së tij politike dhe do të tërhiqej menjëherë nga jeta në politikë. Ai e nënshkroi marrëveshjen megjithëse nuk mori pjesë në negociata dhe më pas për t'u mbnrojtur sajoi këtë histori falso."

Zoti Holbruk thotë se herë pas here Karaxhiçi ka dalë edhe me tezën se Uashingtoni do t'i jepte para dhe mbrojtje. Po ashtu ai hodhi poshtë si absurde komentet e tjera të Karaxhiçit se druhet për jetën.

"Komentet e mia specifike ishin 'Nëse ka njeri që e meriton me të vërtetë dënimin me vdekje, do të ishte Radovan Karaxhiçi dhe Ratko Mlladiç.' Këto ishin fjalët e mia konkrete dhe nëse Karaxhiçi, i cili tashmë është në Hagë, ende ka frikë nga unë, ma merr mendja se në një farë mënyre duhet ta marr komentin e tij si kompliment."

Zoti Holbruk e përshkroi kapjen e Radovan Karaxhiçit si një zhvillim historik, që do të ndihmonte në stabilizimin si të Bosnjes, edhe të Serbisë. Ai u bëri thirrje popujve të këtyre vendeve të lënë pas të kaluarën e shëmtuar të konfliktit të viteve '90. //ad//

XS
SM
MD
LG