Lidhje

Debate mbi mbulimin nga media të funeraleve në Varrezat e Arlingtonit


Varrezat kombëtare në Arlington, në anën tjetër të lumit Potomak nga kryeqyteti Uashington, janë në qendër të një debati lidhur me mbulimin nga media të funeraleve të personelit ushtarak, të cilët kanë humbur jetën në luftën e Irakut. Ankesat rreth mos lejimit të shtypit në këto ceremoni varrimi kanë bërë që disa njerëz ta akuzojnë qeverinë se përpiqet të kufizojë imazhet e kostos së luftës, luftë kjo që shumica e amerikanëve e shikojnë tani si një gabim. Por ka të tjerë në qendër të këtij debati, që thonë se problemi e ka burimin tek mungesa e një politike të qartë lidhur me parametrat e mbulimit nga media, politikë, që Pentagoni thotë se po e shqyrton.

Varrezat kombëtare të Arlingtonit, vendi ku Amerika nderon të rënët e saj në luftë, (Nat Pop - heels clicking). Nga varri i ushtarit të panjohur deri tek vendi final i prehjes së amerikanëve të shquar si për shembull Presidenti Xhon Kenedi, varrezat e Arlingtonit janë një vend i shenjtë, të përfshira tani në një debat lidhur me pranimin e medias.

Mbulimi nga shtypi i funeralëve të ushtarakëve lejohet vetëm me lejen e familjes. Por ka ankesa se shtypi nuk lejohet dhe gazetarve u kërkohet të qëndrojnë tepër larg, ku nuk mund të dëgjojnë apo regjistrojnë funeralin e ushtarëve të vrarë në Irak.

Ami Nieberger-Miller, vëllai i së cilës Kristofer Nieberger u vra në Irak para një viti, thotë se familja e saj pranoi që media të mbulonte varrimin, por ajo u habit nga kufizimet për shtypin.

"Nuk do të ishte ndonjë gjë e madhe që një mikrofon të lidhej me vendin, ku ishte shtypi, që ata të dëgjonin ceremoninë. Ne nuk do të donim që gazetarët të bënin pyetje me zë të lartë, apo të na ndiqnin për komente, por ne do të donim që jeta e vëllait tim të nderohej".

Xhina Grej ishte drejtoreshë e çështjeve publike në varrezat e Arlingtonit deri qershorin e kaluar. Veterane e luftës në Irak dhe pas punonjëse për shumë vite në sektorin e ushtrisë për çështjet publike, zonja Grej u pushua nga puna se ajo u përpoq që shtypi të kishte më shumë leje për të mbuluar varrimin e ushtarëve.

"Duke u nisur nga përvoja ime, shumica e familjeve duan që shtypi të njoftojë për të dashurin e tyre, që është vrarë. Ata duan të djehen se sakrifica e tyre nuk shkon kot. Ceremonia mortore në Varrezat e Arlingtonit është diçka shumë e bukur. Nuk ka rëndësi nëse dikush është pro apo kundër luftës, nëse beson apo jo tek ushtria, mënyra se si nderohen këta të vdekur është me të vërtetë një ceremoni shumë e bukur".

Është pikërisht këtu vendi ku varrosen disa prej të vrarëve në Irak. Dhe ndërsa mbi 4 mijë amerikanë janë vrarë deri tani në atë luftë, disa njerëz thonë se synimi i qeverisë në Varrezat e Arlingtonit është që të kufizojë ekspozimin e viktimave të luftës.

Ndalimi për një kohë të gjatë nga Pentagoni i fotografimit të të rënëve citohet si një arsye tjetër e synimit të qeverisë. Këto imazhe të ushtrisë amerikane u siguruan në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit.

Pentagoni ka bërë pak komente rreth kësaj çështjeje. Një zyrtar tha se Sekretari i Ushtrisë, Pit Gerën po shqyrton politikën e mbulimit nga media. Ja si u shpreh zëdhënësi Xhef Morrell.

"Kemi të bëjmë me një veprim që duhet balancuar, i bazuar në dëshirën e familjes. Ne po përpiqemi të krijojmë një sistem, që u bën të mundur familjeve të të rënëve që të kenë privacinë dhe hapësirën e nevojshme, ndërkohë që shtypi të lejohet të mbulojë varrimin".

Por Ami Nieberger-Miller, tani specialiste e çështjeve publike për një grup që mbështet familjet ushtarake, që kanë humbur të dashurit e tyre, thotë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme.

"Amerika ka dërguar një grup njerzish të mrekullueshëm jashtë vendit dhe disa prej tyre po bëjnë sakrificën e fundit. Për një gazetë, ata nuk përbëjnë një farë numri me një emër. Bëhet fjalë për shumë më tepër dhe mendoj se publiku amerikan mund të mësojë shumë rreth tyre".

Për momentin, shumë njerëz thonë se publiku nuk po mëson rreth të rënëve, megjithë dëshirën e familjeve, që vuajnë shpirtërisht për humbjen e të dashurve të tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG