Lidhje

Shqipëri: Reagime pas vlerësimeve kritike të një diplomati amerikan


Një ditë më parë shtypi i në Shqipëri publikoi vlerësime tejet kritike të bëra nga një diplomat amerikan, të cilat përmblidheshin në faktin se vendi po bënte hapa prapa. Sipas këtyre vlerësimeve korrupsioni në vend po rritej dukshëm dhe se shumica e djathtë po ushtronte një trysni të hapur ndaj të gjitha segmenteve të Drejtësisë, përfshirë këtu edhe Prokuroren e Përgjithshme, e cila po kryen hetimet për tragjedinë e Gërdecit.

Kryetari socialist Edi Rama i cilësoi këto deklarime si alarm, sipas tij, të shteteve të Bashkuara për kërcënimin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, që bën përgjegjës qeverinë e kryeministrit Sali Berisha:

"Ky eshte kulmi i shqetësimit të shprehur ndonjëherë prej tyre publikisht në këto 17 vjet si pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë.As në vitin e rëndë 1996 alarmi nuk ka qenë kaq kumbues, interesimi për Shqipërinë e shqiptarët kaq i madh dhe shqetësimi për keqqeverisjen e vendit kaq i hapur".

Sipas kryetarit socialist Shqipëria e cila pret anëtarësimin në Nato nuk mund mund të jetë vendi ku zgjedhjet e lira janë të kërcënuara, ku kërkohet shmangia e reduktimi I rolit të OSBE-së apo ku pushteti gjyqësor është po ashtu nën kërcënim:

"Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku korrupsioni rritet me shifra e fakte dhe luftohet veç me rrena e fjalë, s'mund të jetë vendi ku popullsia civile bombardohet prej shpërthimit vullkanik të korrupsionit ndërsa kryefajtori kryeministër deklaron se fajin e ka "letra higjenike" New York Times, s'mund të jetë vendi ku nxirret "për zhelesh" nga salla e parlamentit një deputet i opozitës pasi është kërdisur me të shara mejhaneje prej kryeministrit dhe ku dënimin e merr i pari ndërsa pafajësinë i dyti. Kjo këmbanë bie për Sali Berishën!"

Por nga Shkodra ku ndodhej për një vizitë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Shqipëria nuk po bën hapa prapa dhe se debatet politike nuk cënojnë standartet:

"Unë mendoj se Shqiperia do të vlerësohet nga standartet dhe Shqipëria jo që nuk do të bëjë hapa prapa por do bëjë shumë hapa përpara. Ky është zotimi im para shqiptarëve, para partnerëve, para miqve, para aleatëve, para të gjithë atyre që e duan Shqipërinë dhe e mbështesin në rrugën e integrimit euroatlantik."

Në këto muajt e fundit shumica e djathtë në pushtet u përfshi në konflikte të hapura me kreun e shtetit apo dhe me Këshillin e lartë të drejtësisë, ndërkohë që në parlament u regjistruan acarime të tejskajshme me opozitën. //ad//

XS
SM
MD
LG