Lidhje

SHBA: Një gjykatës vendos se ish ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë duhet të dëshmojnë


Demokratët, që përbëjnë shumicën në Kongresin amerikan, nga njëra anë dhe administrata e Presidentit Bush, nga ana tjetër, po analizojnë vendimin e një gjykatësi federal, i cili tha se ish-ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë nuk gëzojnë imunitet absolut dhe mund të thirren në Kongres për të dhënë dëshmi. Korrespondenti Dan Robinson njofton se ky vendim u dha pas përpjekjeve disa mujore të demokratëve për të marrë dëshmi si dhe dokumenta nga ish-këshilltarja ligjore e Presidentit Bush dhe nga shefi aktual i personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi e mori njoftimin për vendimin e gjykatësit, pak para se të jepte komente në konferencën e saj të përjavshme për shtyp në Kapitol:

"Ky është lajm shumë i mirë për këdo, që beson tek Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, ndarja e kompetencave dhe sistemi i kontrollit mbi degët e pushtetit. Do ta lexojmë me vëmendje vendimin, i cili pa dyshim, do të ketë ndikim edhe mbi nisma të tjera që po shqyrtojmë në Dhomën e Përfaqësuesve".

Zonja Pelozi e kishte fjalën tek përpjekjet e Komisioneve të Dhomës të kontrolluara nga demokratët, të cilat kanë kërkuar nga ish-zyrtarë të administratës së Presidentit Bush të japin dëshmi mbi çështje që nga lufta në Irak e deri tek akuzat për politizimin e Departamentit të Drejtësisë.

Demokratët kanë kërkuar që ish-këshilltarja ligjore e Presidentit, Hariet Majërs dhe shefi aktual i personelit të Shtëpisë së Bardhë Xhoshua Bolten, të japin dëshmi lidhur me pushimet nga puna të 9 prokurorëve amerikanë afro 2 vjet më parë.

Ligjvënësit duan të zbulojnë nëse këto pushime kishin motivacion politik, gjë që Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë. Por kjo çështje ishte një ndër arsyet përse Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales u largua nga posti.

Zonja Majërs nuk ka pranuar të dëshmojë, duke argumentuar se gëzon provilegj ekzekutiv, që sipas saj, garanton se bisedat e ndihmësve të lartë të Presidentit janë konfidenciale. Ndërkaq zoti Bolten nuk ka pranuar të dorëzojë dokumenta të rëndësishëm.

Në vendimin ndaj një padie gjyqësore të ngritur nga Komisioni për Çështje Juridike i Dhomës së Përfaqësuesve, Gjykatësi Federal Xhon Bejts tha se zonjës Majërs i kërkohet me ligj të dalë personalisht të argumentojë çfarë imuniteti gëzon.

Javën e kaluar Kongresi dhe ekzekutivi u angazhuan në një pjesë tjetër të betejës lidhur me çështjen e imunitetit. Komisioni i Dhomës për Çështje Juridike ndoqi shembullin e komisionit të Senatit duke i dhënë ish-këshilltarit politik të Presidentit Karl Rouv vërejtje për mosbindje para Kongresit. Zoti Rouv nuk pranoi të dilte para Kongresit, as për të theksuar argumentin e tij se thirrjet e Kongresit nuk kanë fuqi ligjore mbi të.

Vendimi i gjykatësit ka hedhur poshtë pretendimin e ndihmësve të lartë të Presidentit për imunitet absolut, por megjithatë nuk jep ndonjë vendim për pretendimet specifike që kanë ngritur zonja Majërs dhe zoti Bolten për privilegj ekzekutiv.

Në komentet për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha se vendimi nuk nënkupton se këshilltarët e lartë të Presidentit nuk gëzojnë imunitet në asnjë rrethanë. Administrata mund ta apelojë vendimin e gjykatësit dhe zonja Perino tha se ky vendim po shqyrtohet tani nga Këshilltari Ligjor i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë.

Ligjvënësi Xhon Koniërs thotë se ka në plan të organizojë seanca të tjera dëshmish, mundësisht ku të dëshmojë zonja Heriet Majërs dhe të tjerë, të cilët siç tha ai, kanë parashtruar pretendime të ngjashme për imunitet. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nansi Pelozi tha se do të vazhdojë të konsultohet me ligjvënësin Koniërs lidhur me hapat e ardhshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG