Lidhje

Rajonet separatiste ende burim tensioni mes Rusisë dhe Gjeorgjisë


Qindra gra dhe fëmijë janë larguar nga rajoni separatist i Osetisë jugore në Gjeorgji, dhe kanë hyrë në Rusi, pasi luftime të reja shkaktuan shqetësime për përhapjen e konfliktit.

Eksodi i sotëm pason 2 netë përleshjesh mes separatistëve që gëzojnë mbështetjen e Rusisë dhe forcave të qeverisë gjeorgjiane në Osetinë Jugore. Të paktën 6 vetë janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në luftime.

Sot në Moskë, Ministria e Jashtme ruse tha se Osetia Jugore është në prag të një konflikti të përgjithshëm ushtarak. Një deklaratë e kësaj ministrie akuzonte qeverinë e Tbilisit se po i hidhte benzinë zjarrit me manovra ushtarake në rajon. Deklarata u bënte thirrje si separatistëve edhe forcave qeveritare të tregonin maturi ekstreme.

Nga ana e saj, Gjeorgjia akuzon paqeruajtësit rusë të dislokuar në Osetinë Jugore dhe në rajonin tjetër separatist të Abkazisë, se kanë nxitur lëvizje rebele në të dyja zonat. Tbilisi akuzon Moskën se po përpiqet të aneksojë këto territore kufitare. Disa analistë thonë se ekziston edhe mundësia e konfliktit të armatosur.

Rajonet gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut e shpallën pavarësinë nga Tbilisi në fillim të viteve 90-të. Që nga ajo kohë çdo udhëheqës gjeorgjian, përfshi presidentin e tanishëm Mikhail Sakashvilli, janë zotuar për futjen e këtyre rajoneve nën kontrollin gjeorgjian. Asnjë shtet nuk e ka njohur Abkhazinë apo Osetinë e Jugut si vende të pavarura. Por Jason Lyall me universitetin e Princtonit thotë se lidhjet ruse me ato rajone janë shumë të ngushta.

"Janë shumë të lidhura dhe miqësia po shtohet me kalimin e kohës. Faktikisht Osetia dhe Abkahzia shqetësohen se Rusia po i anekson ato dalëngadalë me një shpejtësi të padukshme dhe po i fut brenda vetes. Padyshim që udhëheqja ka lidhje të ngushta, por tani Abkhazia dhe Osetia e Jugut janë pothuajse tërësisht të varura ekonomikisht nga Rusia. Të dy ekonomitë aktualisht përdorin rublën dhe kanë lidhje transporti vetëm me Rusinë."

Tensionet mes Moskës dhe Tbilist u shtuan në muajin prill kur Moska vendosi të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike me dy rajonet seperatiste - lëvizje që acaroi zyrtarët gjeorgjianë.

Gjatë atij muaji, një aeroplan gjeorgjian zbulimi pa pilot u qëllua dhe rrëzua mbi Abkahzi. Zyrtarët gjeorgjianë thanë se ishte qëlluar nga një avion luftarak rus por Moska hodhi poshtë akuzat. Një komision ndërkombëtar që hetonte incidentin tha fillimisht se aeroplani i telekomanduar ishte qelluar nga rusët.

Me 8 korrik, Rusia shtoi tensionet edhe më tej kur katër aeroplanë luftarakë fluturuan për 40 minuta mbi territorin e Osetisë së Jugut. Zyrtarët rusë thanë se veprimet ishin ndërmarrë për të frenuar veprimet e mundshme ushtarake gjeorgjiane ndaj Osetisë apo Abkhazisë. Ndryshe nga rastet e mëparshme, kësaj radhe, rusët morën përgjegjësinë për fluturimet.

Pranimi nga ana e Moskës për dërgimin e aeroplanëve luftarakë mbi këtë rajon përkoi me vizitën e Sekretares Amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs në Tbilisi. Ajo perseriti përkrahjen e Uashingtonit për anëtarësimin e Gjeorgjisë në NATO.

Analisti James Sherr me Insitutin e Sherbimeve të Mbretësisë së Bashkuar me qendër në Londër, thotë se zgjidhja e çështjes së Osetisë dhe Abkahzisë nga Moska është e lidhur drejtpërdrejt me aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarsim në NATO.

"Në më shumë se një rast, përfaqësuesit rusë kanë thënë qartë se ata do të ndihmojnë Tbilisin për zgjidhjen e këtyre konflikteve nëse Gjeorgjia heq dorë nga kursi pro NATO-s. Kur thuhet kjo, është e qartë se rusët qellimisht nuk japin ndihmën e tyre tani. Lidhja mes këtyre konflikteve - politika ruse dhe aspiratat e Gjeorgjisë për në NATO janë tejet të qarta."

Shumë ekspertë, përfshi Robert Legvold me universitetin Kolumbia, thonë se tensionet janë kaq të larta saqë mund të çojnë në një luftë të vërtetë.

"Nuk mendoj që rusët, pavarësisht reagimeve ekstreme ushtrarake, duan të përfshihen në konflikt. Po ashtu edhe gjeorgjianët nuk dëshirojnë konflikt. Por, konfliktet ushtarake shpesh ndodhin edhe atëherë kur askush nuk dëshiron që ato të ndodhin si rezultat i rrjedhjes së ngjarjeve dhe palëve të treta. Banorët e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë po ashtu kanë një rol për të luajtur në këtë mes. Dhe një nga rolet që lojtarë të tillë kanë në konflikte të këtij lloji është të qenit shkaktar konflikti."

Analistë thonë se e vetmja zgjidhje për të ardhmen është përmes dilplomacisë. Ata thonë se gjeja e parë që duhet bërë është gjetja e rrugëve për të ulur tensionet atje dhe pastaj sheshimi i diferencave mes Rusisë dhe Gjeorgjisë mbi rajonet separatiste. Siç thonë analistët, kjo nënkupton që të dy palët do të duhet të arrijnë kompromise. Në këtë pikë, duket se asnjëra prej tyre Moska po Tbilisi kanë dëshirën për kompromis. //kk//

XS
SM
MD
LG