Lidhje

Senatori Obama ndryshon papritur qendrimin  për çpimet e naftës në det


Si kandidati demokrat për President, Barak Obama, dhe ai republikan, Xhon Mekein, janë fokusuar në problemin e rritjes së çmimeve të karburantit dhe nëse çpimet ose jo për naftë në ujërat territoriale të Shteteve të Bashkuara mund të ndihmojnë në uljen e çmimit të energjisë. Presidenti Bush është duke kritikuar ashpër udhëheqësit demokratë në Kongres, të cilët nuk votuan për heqjen e një pengese ligjore përpara se të shkonin për pushimet e gushtit.

Senatori demokrat, Barak Obama, bëri një ndryshim të papritur në pozicionin e tij për zgjerimin e çpimeve për naftë në det, duke thënë se ai mund të mbështesë propozimin e bërë publik të premten nga 5 senatorë republikanë dhe 5 demokratë.

Plani paraprak do të lejojë që shtetet e Virxhinias, Karolinës së Veriut, Karolinës së Jugut dhe Xhorxhias të lejojnë që çpimet për naftë të bëhen 80 kilometra larg brigjeve. Ligji gjithashtu shfuqizon uljen e taksave për kompanitë e naftës dhe vë në dispozicion 20 miliard dollarë për kalimin e makinave dhe të kamionëve nga përdorimi i benzinës në karburante alternative.

Në një konferencë shtypi dje në Florida, zoti Obama tha se ai ende nuk beson se Shtetet e Bashkuara mund të "gjejnë një rrugë të tyren" për të dalë nga kriza e tyre energjitke, por tha se ai është i gatshëm të bëjë kompromis me qëllim që të gjendet një zgjidhje e gjithanshme energjitike.

"Në qoftë se ne mund të arrijmë një kompromis, ku unë duhet të pranoj disa gjëra që nuk më pëlqejnë, ose demokratët duhet të pranojnë disa gjëra që nuk i pëlqejnë në këmbim të formave drejt një pavarësie të vërtetë energjitike, kjo është diçka që unë jap i hapur për ta marrë në konsideratë".

Zoti Obama mirëpriti ligjin, por tha se ai mbetet skeptik mbi kushtet e çpimeve. Të premten, zoti Obama propozoi gjithashtu një taksë gjatë vjeshtës mbi fitimet e kompanive të naftës të cilat do të financonin çeqe emergjente prej 1000 dollarësh për të subvencionuar miliona amerikanë për shkak të ngritjes së ndjeshme të çmimeve të karburantit dhe të energjisë.

Duke folur me mbështetësit e tij të premten paradite në qytetin Rasinë të shtetit Uiskonsin, kandidati republikan, Xhon Mekein, bëri thirrje që çpimet në det të hapur të fillojnë menjëherë.

"Miqtë e mij, ne duhet të fillojmë menjëherë çpimin në det të hapur që të mund të kemi naftë që vjen nga ujërat tona. Ne duhet të fillojmë këto çpime dhe senatori Obama e kundërshton këtë".

Pavarësisht propozimit dy-partiak mbi energjinë që u paraqit të premten në Senat, anëtarë të të dyja dhomave të Kongresit filluan pushimet e tyre të gushtit pa miratuar një ligj të ri mbi energjinë. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio drejtuar popullit amerikan, Presidenti Republikan, Xhorxh Bush, fajësoi demokratët.

"Fatkeqësisht, udhëheqësit demokratë janë duke lënë qytetin pa ndërmarrë ndonjë veprim për t'i lehtësuar familjet amerikane në Amerikë nga barra e çmimeve të larta të karburantit".

Presidenti Bush e pranon se mund të duhen vite që të fillojë shfrytëzimi i naftës në det të hapur, por tha ai, sa më shpejt Kongresi të heqë pengesat, aq më shpejt amerikanët do të kenë mundësi ta përdorin.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kongresit t'i japë fund kufizimeve mbi zhvillimin e zonave naftëmbajtëse në tokat në pronësi të shtetit në perëndim dhe të lejojë çpimet në zonën kombëtare natyrore arktike të Alaskës. Demokratët në Kongres kanë kohë që kundërshtojnë çpimet, duke thënë se ato do të paraqesin një rrezik për zonat e virgjëra natyrore dhe se ndryshimi i çmimeve të karburantit, pas disa vjetësh, do të jetë prej disa centësh për litër. //iç//

XS
SM
MD
LG