Lidhje

Italia shton masat e sigurisë


Qeveria italiane filloi sot mobilizimin e 3 mijë ushtarëve në qytete të ndryshme të vendit si pjesë e një plani për të luftuar krimin e rrugës. Megjithëse shumë qytetarë të thjeshtë e mbështesin operacionin, disa nga opozita thonë se tani është kulmi i sezonit turistik dhe ushtarët që patrullojnë rrugët mund t'i alarmojnë vizitorët.

Në Romë, rreth 400 ushtarë u vendosën në stacionet nëntokësore si dhe në një qendër imigrantësh.

"Sot në mëngjes kemi vendosur rreth 350 deri 400 ushtarë në objekte institucionale dhe vende delikate", tha nënkoloneli Claudio Caruso pranë një stacioni metroje në këtë lagje të Romës juglindore.

Tani për tani nuk pritet që trupat të dërgohen në qendrën historike të kryeqytetit.

Në Milano, trupat e ushtrisë patrullojnë rreth katedrales së Duomos dhe objekte të tilla delikate si konsullatën amerikane dhe sinagogën e qytetit.

Këto masa të propozuara nga qeveria e kryeministrit Silvio Berlusconi u miratuan nga parlamenti muajin e kaluar dhe do të qendrojnë në fuqi për 6 muaj.

Në një konferencë shtypi që dha në Romë të martën e kaluar, ministri i brendshëm Roberto Maroni dhe hollësi rreth operacionit.

"Forcat e mobilizuara përfshijnë 3,000 vetë nga këmbësoria, marina, aviacioni dhe karabinieria. Prej tyre, 2 mijë vetë do të merren me vëzhgimin e objekteve delikate. Veçanërisht, 1000 trupa do të vëzhgojnë nga jashtë qendrat e imigrantëve", shpjegoi ministri.

Mobilizimi i ushtrisë është kritikuar nga opozita dhe sindikatat e policisë të cilat thonë se kjo është thjesht një farsë për të mbuluar shkurtimet që qeveria po i bën buxhetit të forcave të sigurimit.

Disa njerëz në Romë shprehën sot mbështetje për operacionin.

"Mendoj se është e drejtë që ata janë këtu dhe mbajnë nën vëzhgim gjendjen", thotë Elsa Fiorenzo.

"Na duhen më shumë ushtarë, por të paktën ky është një fillim", shprehet Marçelo Pera.

Por deputetë të opozitës thonë se ky është kulmi i sezonit turistik dhe ushtarët që patrullojnë rrugët mund t'i alarmojnë vizitorët. (ze)

XS
SM
MD
LG