Lidhje

Jeta e Sollzhenicinit e përshkuar nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor


Është e vështirë ta përkufizosh jetën dhe veprën e Aleksander Solzhenicinit. Nobelisti që vdiq dje në moshën 89 vjeçare, besonte në komunizëm para se të goditej prej tij, zbuloi fytyrën makabre të komunizmit, por kritikoi edhe mënyrën perëndimore të jetesës ndërsa jetonte në Shtetet e Bashkuara, dhe kur u kthye në Rusi pati raste që mbrojti Vladimir Putinin. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ai u përpoq t'i qëndronte besnik frymës morale dhe të mbronte dinjitetin njerëzor.

Alexander Isaevich Solzhenitsyn u lind më 11 dhjetor 1918 në Kislovodsk të Rusisë Jugore. Kur ishte i ri ai ishte komunist i devtoshëm, por në vitin 1943, kur ishte kapiten në vijën e parë të frontit, u arrestua se kishte shkruar një letër ku kritikonte Stalinin. Kaloi shtatë vjet në një kamp pune në stepat e Kazakistanit dhe tre vjet të tjera në internim. Gjatë kësaj kohe filloi të shkruante fshehtas dhe vazhdoi të shkruante ndërsa punonte si mësues në qytetin e Rjazanit.

Romani i tij i parë "Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit" rrëfen historinë e një ish-ushtari që përpiqet të mbijetojë në një kamp pune të Siberisë duke ruajtur të paprekur dinjitetin e tij moral. Libri u botua me vendimin e udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov, që dëshironte të diskreditonte regjimin e paraardhësit të tij Stalinit.

Libri i tij bëri bujë jo vetëm në vendin e tij por edhe jashtë, jo sepse ishte i pari që përshkruante tmerrin e periudhës së Stalinit, por sepse ishte një paditje për Stalinin dhe për sistemin e komunizmit në përgjithësi.

Kur Hrushovi u zëvendësua nga konservatorët e Kremlinit në vitin 1964, shkrimtarit iu desh të përballonte përndjekjen e KGB-së. Botimi i veprave të tij në Bashkimin Sovjetik u ndalua, por ai përdori kanale të fshehta për t'i botuar ato në perëndim.

Në vitin 1970, Solzhenicini mori Çmimin Nobel me motivacionin "për forcën etike që ka përdorur për të ecur në gjurmët e traditës së pashmangshme të letërsisë ruse". Por ai arriti ta merrte çmimin vetëm në vitin 1973, pasi ishte dëbuar nga Bashkimi Sovjetik në Gjermaninë Perëndimore.

Në të njëjtin vit libri i tij i famshëm "Arkipelagu Gulag" u botua në Paris. Aty përshkruhej historia e sistemit sovjetik të terrorit shtetëror. Ai u vendos në Amerikë, në qytetin e vogël Kavendish të Vermontit me gruan dhe djemtë e tij. Ata jetuan atje për 18 vjet, një periudhë që shkrimtari e kishte quajtur më produktiven e jetës së tij. Ai punoi atje për "veprën e jetës së tij" siç e quante ai "Rrotën e Kuqe", një sagë me shumë vëllime e historisë së Rusisë.

Megjithëse i kishte shpëtuar shtypjes, Solzhenicini ndjente mall për vendin e tij dhe kishte shkaktuar pakënaqësi duke e akuzuar perëndimin për materializëm dhe zbrazëti shpirtërore.
Shumë kritikë e konsideruan "Rrotën e Kuqe" si një libër të lodhshëm dhe arrogant dhe jo gjithëpërfshirës e të përshkuar nga fryma morale.

Atij iu hap rruga për t'u rikthyer në vendin e tij kur Mikail Gorbaçovi ia riktheu shtetësinë në vitin 1990. Pas kthimit emocional në maj të vitit 1994. Solzhenicini u vendos në një shtëpi në brigjet e lumit të Moskës pranë kryeqytetit.

Kthimi nuk e afroi shkrimtarin më shumë me Rusinë e tij të dashur. I përçmuar nga komunistët për kundërshtimin ndaj pushtetit sovjketik, ai vuri re që edhe reformatorët nuk e besonin. Programi i tij i përjavshëm në stacionin më të madh televiziv rus, u anullua pasi nuk pati ndonjë ndikim të dukshëm.

Në shtator 2000, ata që ishin mësuar ta shihnin Sollzhenicinin si një armik të betuar të modelit sovjetit, u befasuan nga deklaratat e favorshme të tij për presidentin e atëhershëm Vladimir Putin, ish oficer i KGB-së që e kishte persekutuar atë.

Por në moshë të shkuar, Sollzhenicini tregoi se akoma ishte në gjendje të përdorte peshën e fjalës për të luftuar në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe vendit të tij.

"Ne jetojmë praktikisht mes rrënojave, por bëjmë sikur kemi një jetë normale, tha ai në maj të vitit 2002. E vetmja mënyrë për të ndërtuar diçka të fortë dhe të shëndetshme është duke filluar nga rrënjët, ashtu siç rritet çdo gjë në natyrë". //kk//

XS
SM
MD
LG