Lidhje

Shpresat për reforma politike në Kinë shuhen para Lojrave Olimpike


Për 21 ditë në gusht, mijëra atletë, gazetarë dhe vizitorë nga e gjithë bota do të vërshojnë në Pekin për Lojrat Olimpike Verore. Ndryshe nga lojrat e tjera Olimpike, periudha para këtyre lojrave është përshkruar nga shpresa dhe shqetësime politike. Shumë nga përkrahësit e Kinës për të qënë organizatorja e këtyre lojrave, parashikonin se duke përmbushur kërkesat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Pekini do të lejonte disa reforma politike. Por kritikët thonë se në vënd që të hapej ndaj botës, Kina ashpërsoi luftën ndaj disidentëve dhe kritikëve nën pretekstin e nacionalizmit.

Një anketë e fundit e organizatës Pew tregon se 93 përqind e kinezëve mendojnë se Lojrat Olimpike do të përmirësojnë imazhin e vendit të tyre në botë. Por Brus Stoks, gazetar i National Journal, i angazhuar në këtë anketë, thotë se krenaria kombëtare është aq e lartë në Kinë sa që çdo ndërhyrje në këto lojrave mund të çojë lehtë në zemërim ndaj Perëndimit.

“Në se ka ndonjë problem me lojrat, qoftë ndotja e mjedisit, demonstratat apo edhe thjesht dështimi i skuadrës kineze për të fituar...., të cilat mbulohen gjërësisht nga mediat në Perëndim, kjo do t’i jepte publikut kinez një tjetër arsye të mendonte se Perëndimi është kundër tyre”.

Vendet që mbështesnin zgjedhjen e Kinës si organizatorja e Lojrave Olimpike prisnin shumë nga këto lojra. Viktor Cha është drejtor i Studimeve Aziatike në Universitetin Georgetown dhe ish anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurimit. Ai thotë se përdorimi i lojrave për të angazhuar pa zhurmë Kinën ka qënë një mënyrë e efektshme për të bërë trysni për ndryshime. Ai citon si zhvillime pozitive rifillimin e një dialogu dypalësh me Shtetet e Bashkuara, marrëveshjen për dialog me udhëheqjen e Taivanit dhe rolin më pak pengues të Kinës në OKB lidhur me Darfurin.

“Shumë gazetarë i kanë parë këto ndryshime dhe kanë folur për një revolucion pa zhurmë në politikën e jashtme kineze. Shumë prej tyre pranojnë se Lojrat Olimpike në shumë mënyra ndryshuan politikën e jashtme të Kinës, që diplomacia nuk arriti ta bënte për shumë vite”.

Zoti Cha thotë se trysnia mbi Kinën për reforma të mëtejshme do të vazhdojë pas Lojrave Olimpike. Por Sofi Riçardson i grupit Human Rights Watch nuk është dakort. Ajo thotë se në disa mënyra, lojrat olimpike kanë bërë që qeveria kineze të kthehet prapa, të shtypë protestat në Tibet si dhe desidentët në vend.

“Njerëzit po vuajnë dënime nën akuza për veprimtari armiqësore vetëm se kanë thënë publikisht se do të ishte më mirë që qeveria të përmirësonte të drejtat e njeriut se sa të harxhonte kaq shumë kohë dhe energji për Lojrat Olimpike”.

Ende pa filluar lojrat, Kina u tërhoq nga premtimi i saj për të lejuar gazetarët ndërkombëtar të përdorin internet, duke bllokuar faqe politikisht sensitive që diskutojnë për Tibetin apo të drejtat e njeriut në Kinë. Zonja Riçardson dhe të tjerë shfaqin shqetësimin se pasi media të mos përqëndrohet më tek Lojrat Olimpike, situata do të keqësohet.//kk//

XS
SM
MD
LG