Lidhje

Dy myslimanë ujgurë, autorë të sulmit që vrau 16 policë në Kinë


Media shtetërore kineze njofton se dy myslimanë ujgurë etnikë kryen një sulm të hënën në provincën veri-perëndimore të Sin Kiangut, duke vrarë 16 policë.

Duke cituar policinë lokale, media shtetërore kineze e quajti incidentin një sulm të dyshuar terrorist. Policia arrestoi dy sulmuesit.

Agjencia Xinhua e lidh sulmin me një komplot të Lëvizjes Islamike të Turkisanit Lindor, një grup që lufton për të fituar pavarësinë e Sin Kiangut.

Dy burra përplasën një kamion mbi një grup policësh dhe më pas hodhën lëndë shpërthyese, duke vrarë 16 oficerë dhe duke plagosur disa të tjerë në provincën e tensionuar të Kinës.

Sulmi në Sin Kiang ndodh vetëm katër ditë para fillimit të Lojrave Olimpike të Pekinit – një ngjarje që i ka vënë forcat kombëtare të sigurisë në gadishmëri dhe që kërcënohet nga të paktën një grup militant mysliman.

Xinhua tha se dy burrat e përplasën kamionin ndërsa policët po kryenin stërvitjen e mëngjesit jashtë një hoteli, pranë stacionit paraushtarak kufitar në qytetin e Kashgarit.

14 oficerë gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes ndërsa dy të tjerë duke shkuar për në spital. Policia arrestoi dy sulmuesit, një prej të cilëve ishte dëmtuar në këmbë.

Kashgar, është një qytet turistik, dikur qendra tregëtare e Rrugës së Mëndafshtë dhe shtrihet 130 kilometra nga kufiri me Pakistanin, Afganistanin dhe Kirgistanin.

Sulmi është një nga më vdekjeprurësit në vitet e fundit në provincën Sin Kiang ku pakica myslmiane e ujgurëve ka bërë një rezistencë sporadike kundër regjimit kinez.

Agjencia Xinhua tha se departamenti i policisë në Sin Kiang kishte marrë informacione zbulimi për sulme të mundshme terroriste mes 1 dhe 8 gushtit nga Lëvisja Islamike e Turkistanit Lindor. Lindor, një grup që lufton për pavarësinë e Sin Kiangut.

Agjencia citoi policinë të ketë thënë se grupi kishte në plan të ndërmerrte sulme disa ditë para Lojrave Olimpike.

Kjo lëvizje për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara është një organizatë terroriste.

Por grupet e të drejtave të njeriut dhe grupet ujgure në Perëndim thonë se autoritetet kineze shpesh përdorin terrorizmin si pretekst për të shtypur këtë pakicë.

Javën e kaluar, një komandant i lartë ushtarak tha se myslimanët radikalë që luftojnë për një Turkistan Lindor të pavarur në Sin Kiang përbëjnë kërcënimin më të madh ndaj Lojrave Olimpike. Megjithatë analistët dhe autoritetet kineze thonë se me më shumë se 100 mijë ushtarë dhe policë të angazhuar në qytetet kineze ku do të zhvillohen lojrat, ekstremistët ka të ngjarë të sulmojnë në zona më pak të mbrojtura. //kk//

XS
SM
MD
LG