Lidhje

Kadare: Solzhenicini, kampion i të drejtave njerëzore

  • Laura Konda

Laureati rus i çmimit Nobel, Alexander Solzhenicin, autori disident shkrimet e të cilit ekspozuan tmerret e kampeve të internimit të periudhës sovjetike, u varros sot me një ceremoni që i ngjante një funerali shtetëror, në një varrezë historike të Moskës. Solzhenicini vdiq të djelën në moshën 89 vjeçare. Aleksandër Solezhenicin në veprat e tij përshkroi dhe denoncoi sistemin stalinist të ish-Bashkimin Sovjetik. Për të diskutuar mbi jetën dhe rolin shkrimtarit disident Zëri i Amerikës kishte ftuar për një bisedë telefonike shkrimtarin Ismail Kadare.

Zëri i Amerikës:Zoti Kadare, Solzhenicini u bë simboli i luftës kundër diktaturës, ai ishte njeriu që denoncoi botërisht sistemin më të ashpër totalitar dhe bëri publike kampet famëkeqe të internimit, të ashtuquajturit Gulagë sovjetikë. Çfarë ndikimi patën veprat e tij në ato vite?

Ismail Kadare:Natyrisht, që mendimi unanim botëror është se Solzhenicini është një figure kolosale e shekullit, është një shkrimtar emancipues, në shkallë planenetare, ai ai lojti një rol në gjysmën e planetit, që ishte bota komuniste, por edhe në botën tjetër, ku vepra e tij rrezatoi gjerësisht. Ka qenë një shkrimtar i pakrahasueshëm në demaskimin e krimeve të Stalinit, një proces që ende vazhdon sot në botë, me dënimin e krimeve të komunizimit, një proces që ende vazhdon sot në botë, pra është një proces ende i pambyllur. Siç ndodh shpesh me figurat e mëdha, të gjithë duan të përfitojnë prej tyre, Rusia zyrtare, që pamë edhe ceremoninë, e nderon atë, mendoj unë për të tjera arsye që e nderon Rusia demokratike dhe liberale. Opinioni botëror çmon tek ai mbi gjithshka veprën e tij të madhe letrare artistike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ai bëri në shkallë botërore, si rrallë kush. Edhe në qoftë se vihet re ndonjë rezervë, siç ndodh me shkrimtarët e mëdhenj, kjo ka të bëjë pikërisht me të drejtat njerëzore, kampion i të cilave ai qe. Është vënë në dukje kohët e fundit afrimi i tij me Putinin, që ka luajtur një rol në mendimet e tij, të cilat patën rënë disa herë ndesh me veprën e tij, siç ishte rasti i Kosovës, kur për fat të keq, e përsëris, për fat të keq, ai u pajtua me mendimin e Rusisë zyrtare, kundër forcave të lirisë në Ballkan. Disidentët rusë kanë patur për këtë arsye një polemikë me të dhe Kosova u bë, si të thuash, një pikë ndarjeje midis tyre. Por kjo ndodh jo rrallë me shkrimtarët e mëdhenj dhe të shquar, që jo rrallë, parimet që ata mbrojnë në veprat e tyre, bien disa herë ndesh me mendimet që ata kanë në një periudhë të caktuar të jetës së tyre. Por, në fund, është vepra ajo që mbetet dhe që çmohet dhe janë këto mendime kalimtare, të cilat harrohen dhe pa dyshim, dhe figurën e tij kolosale nuk do ta cënojë kjo gjë në tërësi, ato mendime kalimtare do të harrohen dhe vepra e tij do të jetojë përgjithmonë.

Zëri i Amerikës:Pra, ai mbetet një figure komplekse në historinë e letërsisë botërore…

Ismail Kadare:Nuk mund të thuhet komplekse, figura e tij është në përgjithësi e qartë, por që thashë unë, është një incident…

Zëri i Amerikës:Ju keni patur rastin ta takoni Aleksandër Solzhenicinin. Në ç'rrethana e keni njohur dhe cilat janë disa nga mbresat tuaja për të?

Ismail Kadare:Po, unë kam patur rastin ta njoh në Paris,para se të instalohej përfundimisht në Rusi, ai bëri një udhëtim në Francë. Ne të dy, kemi të njëjtin editor dhe botues francez, dhe në mjediset e Shtëpisë Botuese “Fayard”, ku ai u prit, kam patur rastin të njihem me të dhe të bisedoj me të, ishte një njeri jashtëzakonisht i komunikueshëm, kishte dëshirë të fliste, një dëshirë që ndoshta ishte e theksuar nga jeta e tij tepër e vetmuar, qoftë në burgjet e Stalinit dhe në internim, qoftë në një farë jete të izoluar që ka bërë më vonë. Ai ishte tepër i komunikueshëm.

Zëri i Amerikës:Duke bërë një paralelizëm me ish Bashkimin Sovjetik, në se do të flitej për një disidencë, apo nje Solzhenicin të Shqipërisë, në mend të vjen emri juaj, megjithëse ju vetë jeni shprehur se nuk keni qenë disident. Sa e vështirë ishte disidenca në radhët e intelektualëve shqiptarë gjatë periudhës së komunizmit?

Ismail Kadare:Një here dua të them, se nuk ka figurë në letërsinë shqipe, në kulturën shqiptare, ose në mendimin kulturor shqiptar, të krahasueshëm me Solzhenicinin në atë kompleksitetin e tij, si njeri i madh i letërsisë dhe i lirisë, nuk ka. Nuk ka dhe nuk mund të kishte në Shqipëri, sepse edhe në Rusi, Solzhenicini doli në atë periudhë që quhej periudhë staliniste, dmth ai kishte vite, vite që shkruante, por u deshën të kalonin 8 vjet nga vdekja e Stalinit, që ai të botonte faqet e para. Kaq e rëndë ishte hija e Stalinizmit, në Rusi, ku qe përmbysur ndërkohë. Tani mendoni se si kanë kjo hije e Stalinizmit tone dhe e kishim gjallë Stalinin deri në rrëzimin e komunizimit. Pra, ishte praktikisht dhe teorikisht e pamundur, që në Shqipëri të kishte disidencë. Në Shqipëri nuk ka patur dissidence, në kuptimin klasik të fjalës, që disidenca konsiderohet si një kundërshtim publik ndaj shtetit, si një kundërshtim, një sfidë, një dalje publike kundër shtetit që sundon. Ne këtë e dimë dhe shpesh thuhet se vërtet ka qenë në Shqipëri kaq e ashpër kjo shtypje e kulturës, e jetës shoqërore, apo ndoshta shkrimtarët mundet që e teprojnë pak për të justifikuar faktin që ata nuk arritën dot të bënin atë disidencë që i bëri ata që si në Rusinë e Solzhenicinit, se dhe atje për një kohë të gjatë nuk u bë disidenca. Unë them se shtypja ka qenë reale dhe mjafton të kujtoj jo vetëm vitet e para të terrorit, kur terrori kundër intelektualëve, elites intelektuale, ishte një praktikë e ditës në Shqipëri, ishte një sport i ditës, si të thuash, por të marrim vitet e fundit, në mes të viteve ’70, është thënë disa here, në Shqipëri u pushkatuan dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Mendoni, të pushkatohen dy poetë në mes të viteve ’70, kur ndërkaq kishte një lloj emancipimi në mbretërinë komuniste të botës; por unë do t’ju them një shembull tjetër, edhe më të pabesueshëm. Pasnesër, më 11 gusht, mbushen 20 vjet nga varja e një poeti, unë po e përsëris fjalën, nga varja e një poeti shqiptar, një poet shqiptar me emrin Hazi Mela. U var në mes të Kukësit dhe kur, në vitin 1988. Është e pabesueshme, një poet shqiptar varet dy vjet para rënies së komunizmit dhe mbahet tre ditë i varur në sheshin e Kukësit, për të terrorizuar qytetin. Ja pra, çfarë persekutimi dhe çfarë terrori ka patur në Shqipëri. E megjithatë, mund të thuhet, se letërsia shqipe, jo në këtë formë kaq radikale si Solzhenicini, por në forma më të përmbajtura si Pastërnaku, os esi Bulgakovi, ka arritur të shkruajë vepra që kanë shprehur rezervën e tyre të thellë kundër regjimit komunist.

Zëri iAmerikës:A u bë i famshëm Aleksandër Solzhenicini për shkak të disidencës së tij dhe pasqyrimit të komunizimit rus me tërë ashpërsinë e tij, apo edhe për faktin e vlerave artistike të veprave të tij?


Ismail Kadare:Solzhenicini është një shkrimtar i rrallë në fatin e tij, ku vepra letrare dhe dokumentare kanë pak a shumë, një peshë të barabartë. Janë të dyja tepër të rëndësishme, janë të dyja tepër të fuqishme, sepse rrallë ka ndonjë shkrimtar që të ketë kryevepra letrare, si ta zemë, “Pavioni i kancerozëve”, që është një roman, pra thjesht një roman artistik dhe të ketë një vepër dokumenetare, ose më mirë një dëshmi tronditëse, si “Arkipelagu Gulag” dhe është shumë e vështirë për lexuesin të vendosë se cila është më interesante, qoftë dhe nga ana e realizimit artistik, se janë të dyja jashtëzakonisht të bukura, veç që janë tronditëse dhe të thella; janë edhe të bukura, lexohen me një frymë. Prandaj, ai është një shkrimtar që e ka të ndarë veprën në dy korpuse, që do të thoja, pak a shumë të barabartë.


Zëri i Amerikës:Zoti Kadare, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG