Lidhje

SHBA: Banka Qëndrore vendosi të mos ndryshojë shkallën e interesit

  • Mill Arcega
  • Uashington

Banka Qëndrore e Shteteve të Bashkuara vendosi të mos ndryshojë shkallën e interesit. Zyrtarë të kësaj banke, e njohur këtu si Rezerva Federale, e bënë njoftimin dje, duke cituar për vendimin e tyre nevojën për të vazhduar zhvillimin ekonomik, ndërkohë që mbahet nën kontroll inflacioni. Tregjet financiare amerikane reaguan pozitivisht ndaj vendimit të bankës.

Wall Streeti shënoi dje rritje, në pritje të vendimit të Bankës Qëndrore për të mos ndryshuar shkallën kyçe të interesit. Indekset kryesorë të aksioneve, pësuan ngritje që në fillim të ditës pas njoftimeve se sektori i shërbimeve kishte përparuar në muajin korrik më mirë se sa pritej. Këto indekse shënuan një rritje prej gati 3 për qind pas njoftimit të Rezervës Federale. David Uajz është ekonomist me peshë për indeksin e njohur si S & P.

"Tregu ishte në ngritje gjatë gjithë ditës, por pas njoftimit u ngrit edhe 100 pikë të tjera. Asnjeri nuk priste ndryshim të shkallës së interesit", tha ai.

Banka Qëndrore i ka ulur interesat me 0,75 për qind që nga shtatori i kaluar, në përpjekje për t'i dhënë shtytje ekonomisë amerikane. Njoftimi i djeshëm është i dyti me radhë, që e mban të pandryshuar shkallën e interesit.

Duke shpjeguar vendimin, zyrtarët federalë thanë se ekzistojnë disavantazhe të rrezikshme për zhvillimin ekonomik, por edhe shqetësime të mëdha rreth inflacionit.

Disa ekonomistë e konsiderojnë këtë deklaratë si sinjal se interesat do të mbahet të pandryshuar deri në fund të vitit.

"Njerëzit menduan se zyrtarët e Bankës do të bënin një deklaratë më të ashpër. Gjithashtu, këtë herë vetëm një anëtar i bankës votoi kundër këtij vendimi, krahasuar me dy anëtarë, që votuan kundër herën e fundit. Kjo tregon se Banka Qëndrore është edhe më e vendosur që t'i mbajë interesat të pandryshuar".

Interesat, që bankat i vënë njëra tjetrës, ndikojnë tek interesat, që duhet të paguajnë konsumatorët, blerësit e shtëpive dhe bizneset. Megjithëse ulja e interesave mund të stimulojë ekonominë, duke e bërë më të lehtë shtimin e kapitalit, ekonomistët thonë se ulja e madhe e interesave mund të pasohet me ngritje të çmimeve. (ze)

XS
SM
MD
LG