Lidhje

Kina në përgatitjet e fundit për Lojrat Olimpike


Ndërsa bëhen përgatitjet e fundit për ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike duket se në kryeqytetin kinez të gjithë janë të zënë. Rreth 100 mijë vullnetarë, mes tyre edhe nga vende të tjera, po përgatiten për të pritur njerëz nga gjithë bota. Ceremonia e hapjes e cila thuhet se do të jetë spektakolare po pritet me padurim nga të pranishmit por edhe nga shikues në mbarë botën.


Hollësitë rreth ceremonisë mbahen sekret por këto ditë po mësohen disa informacione. Për shembull dihet se do të ketë një duet të këngëtares britanike Sarah Brightman dhe kinezes Liu Huan. Zyrtarët thanë gjithashtu se në ceremoni do të ketë edhe shfaqje artistike të forcave ushtarake të Kinës. Një numër i madh artistësh, thotë një zyrtar, janë pjesë e forcave të armatosura kineze dhe do të marrin pjesë në ceremonitë e hapjes për ti shtuar nivelin artistik ceremonisë.

Rreth 110 mijë policë pritet të mobilizohen në Pekin dhe disa vëzhgues e kanë kritikuar shtimin e forcave të sigurisë.

Zyrtarët gjithashtu po bëjnë përgatitje për t'i dalë përpara motit të keq. Për të premten, kur fillon ceremonia e hapjes së lojërave, meteorologët parashikojnë mot me shi.

Edhe në Çëngdu, kryeqytet i provincës Sëçuan, ndihet një atmosferë feste megjithëse provinca para pak kohësh u godit nga një tërmet i fuqishëm i cili la mbi 18 mijë viktima. Dje, ceremonitë për të pritur Lojrat Olimpike filluan atje me një minutë heshtje për nder të viktimave. Qyteti Çëngdu ishte gjithashtu ndalesa e fundit e flakës olimpike para ceremonisë së hapjes në Pekin ku tanimë mbretëron një atmosferë feste.

Ky turist gjerman thotë se ndihet i kënaqur nga atmosfera.

"Të gjithë duket se janë të gëzuar sikur të kishin ditëlindjen. Nuk kam parë kurrë kaq shumë entusiazëm të përqëndruar vetëm në një vend."

Por atletët po përqëndrohen më tepër te garat. Megjithëse qeveria kineze ka marrë masa për pastrimin e ajrit, disa nga atletët po venë maska kur mbërrijnë në aeroportin e Pekinit.

Majkël Fridman është çiklist nga Shtetet e Bashkuara.

"Po bëj çdo përgatitje të nevojshme. Kush e di se sa keq do të jetë pas pak ditësh. Pra nëse arrin t'i shmangesh ndotjes edhe rezultatet mund të jenë më të mira."

Në një konferencë për shtyp zyrtari kryesor mjekësor i komitetit olimpik u përpoq t'i zbutë këto shqetësime të atletëve.

"Për vizitorët nuk e shoh të nevojshme të mbahen maska. Unë nuk do ta mbaja edhe po të isha atlet."

Qitësi nga Australia Russell Mark thotë se në fakt ai e preferon smogun e Pekinit.

"Smogu në fakt na ndihmon. Sa më shumë aq më mirë për një atlet më të moshuar si puna ime. Kështu e kam më të lehtë të shoh rrathët ngjyrë portokalli."

Ndërkohë komiteti olimpik i Kinës i sigurar sërish atletët dhe spektatorët se do të jenë të sigurt nga terroristët, sidomos pas shqetësimeve që u ngritën nga një sulm në provincën e largët të Sinkiangut ku u vranë 16 policë. //rd//

XS
SM
MD
LG