Lidhje

Luftime në Osetinë Jugore


Presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili ofroi një armëpushim të menjëhershëm për t’u dhënë fund luftimeve me separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Osetisë Jugore. Në një fjalim që mbajti sonte në televizionin e vendit, zoti Sakashvili pranoi se në rajon janë zhvilluar luftime me artileri të rëndë. Ai po ashtu njoftoi për “shumë viktima”, si të vdekur, edhe të plagosur. Presidenti u ofroi përsëri seperatistëve autonomi të plotë brenda Gjerogjisë dhe tha se Rusia mund të ndihmojë për të garantuar këtë status. Ai tha po ashtu, se qeveria e tij është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme ruse dhe se rusët deri tani nuk kanë arritur t’i bindin separatistët ta respektojnë marrëveshjen.

Agjencia e lajmeve Rojters citon Nënsekretarin amerikan të Shtetit Daniel Frid të ketë thënë, se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord të punojnë bashkarisht për t’u dhënë fund luftimeve. Si qeveria gjeorgjiane, edhe separatistët thonë se luftimet ishin më të ashprat që janë zhvilluar në fshatrat pranë kryeqytetit të Osetisë Jugore, Ckinvali. Autoritetet njoftojnë për mbi 20 persona të plagosur.

Në Osetinë Jugore, rajoni separatist i Gjeorgjisë, ka njoftime se janë zhvilluar luftime masive mes trupave gjeorgjiane dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia. Si qeveria gjeorgjiane, edhe forcat separatiste, pranuan se janë zhvilluar luftime, duke i cilësuar ato si më të ashprat që ka patur ndonjëherë në kryeqytetin e Osetisë Jugore, Ckinvali dhe në fshatrat përreth.

Më parë, separatistët fajësuan njësitë e artilerisë gjeorgjiane për bombardimet gjatë natës në kryeqytet. Secila palë fajëson tjetrën për provokimin e luftimeve të ditëve të fundit, për të cilat separatistët thanë se plagosën të paktën 20 persona.//rd//

XS
SM
MD
LG