Lidhje

Marrëdhëniet Rusi - Gjeorgji mbeten të tensionuara


Tensionet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë vazhdojnë të jenë të larta, për shkak të rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore dhe kërkesës së Gjeorgjisë për t'u anëtarësuar në NATO. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Uashington, Andre de Nesnera analizon se përse Gjeorgjia është e rëndësishme për Perëndimin.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Tbilisit janë tensionuar që nga koha kur Mihail Sakashvili u zgjodh president i Gjeorgjisë më tepër se 4 vjet më parë, pas një lëvizjeje popullore, të njohur me emrin "Revolucioni rozë". Në janar të këtij viti, zoti Sakashvili u rizgjodh, duke thënë se do të ndiqte shumë nga politikat që filloi gjatë mandatit të parë.

Analistët thonë se tensionet mes Tbilisit dhe Moskës e kanë zanafillën te politikat pro-Perëndimit të zotit Sakashvili, duke përfshirë synimin e tij për anëtarësim në NATO. Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Gjeorgji, Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, e përsëriti mbështetjen e Uashingtonit ndaj kërkesës së Gjerogjisë për anëtarësim në NATO.

Rusia e kundërshton me forcë kërkesën e Gjerogjisë për anëtarësim. Jason Lyall, profesor në Universitetin Princeton, thotë se kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë është pjesë e një politike të jashtme energjike, që po ndjek Presidenti rus Dmitri Medvedev.

"Le të përfytyrojmë sikur Gjeorgjia të ishte pranuar në NATO. Kjo do të bënte që Rusia të kishte te dera e saj një anëtare të Natos. Gjeorgjia është në kufi me Çeçeninë dhe vështirë se mund të ketë çështje më delikate për Rusinë se sa Çeçenia. Çështja ka të bëjë edhe me politikën e jashtme ruse, për të cilën zoti Medvedev dëshiron që ta bëjë më prestigjoze. Do të ishte një goditje e rëndë për regjimin rus, në se NATO-ja do t'i afrohej aq pranë territoreve që konsiderohen si jetike për interesat kombëtare ruse".

Një tjetër burim i rëndësishëm përplasjesh mes Gjeorgjisë dhe Rusisë janë rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore, në kufi me Rusinë, të cilat e shpallën pavarësinë nga Tbilisi në fillim të viteve 90. Presidenti Sakashvili është zotuar t'i kthejë integritetin territorial Gjeorgjisë, duke e risjellë këtë çështje përsëri në qendër të vëmendjes. Por analistët thonë se shumë pak përparim është bërë, sidomos tani që Rusia i ka shtuar lidhjet ekonomike dhe politike me të dy rajonet.

Ekspertët thonë se Perëndimi i sheh me interesim dhe shqetësim zhvillimet në Gjeorgji, ndërkohë që Presidenti Sakashvili përpiqet t'i konsolidojë sukseset e arritura atje. Ja si shprehet Ronald Suny, profesor në Universitetin e Çikagos:

"Gjeorgjia është një korridor tepër i rëndësishëm i naftës nga rajoni i Kaspikut, për në Detin e Zi dhe në detin Mesdhe, përmes Turqisë. Tani ky rajon është bërë i rëndësishëm edhe nga ana ekonomike".

Që nga koha e rënies së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë ndihma të konsiderueshme Gjeorgjisë, për reforma ekonomike dhe politike. Eksperti Svante Cornell thotë se Washingtoni ka interesa të mëdha në Gjeorgji.

"Në mbarë rajonin, nga Ukraina e deri në Kaukaz e në Azinë Qendrore, nuk ka asnjë vend të botës ku Shtetet e Bashkuara të kenë investuar më tepër nga prestigji i tyre, se sa në Gjeorgji, që do të thotë, se nëse papritur Gjeorgjia lejohet të dështojë dhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk i qëndrojnë asaj pranë në mbrojtjen e intergritetit dhe sigurisë, çdo qeveri, nga Kievi në Tashkent, do të arrinte në përfundimin se Uashingtoni nuk është një partner serioz. Dhe kjo do të minonte interesat amerikane në mbarë rajonin e Euroazisë".

Zoti Kornell dhe analistë të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore mund të luajnë një rol më të rëndësishëm diplomatik në zbutjen e tensioneve mes Rusisë dhe Gjerogjisë, me qëllim që gjendja të mos dalë nga kontrolli. //iç//

XS
SM
MD
LG