Lidhje

Në Pekin filluan zyrtarisht Lojrat Olimpike 2008


Në Pekin filluan zyrtarisht Lojrat Olimpike 2008, me një shfaqje madhështore plot fishekzjarre, që ndriçuan qiellin e mbrëmjes mbi stadiumin kombëtar.

Rreth 91 mijë njerëz, shumë prej të cilëve valvisnin flamurë kinezë, mbushën stadiumin olimpik, që njihet me emrin "Çerdhja e Zogut". Ceremonia e hapjes, drejtohej nga regjisori me famë botërore Xhang I Mou, ish kandidat për çmimin "Oscar".

Stadiumi u mbush nga tingujt e daulleve nën interpretimin e 2008 vetëve. Mijra pjesmarrës të tjerë interpretuan simbolikën e disa prej shpikjeve më të mëdha që Kina i ka dhënë njerëzimit – busullën dhe barutin, si dhe artet e saj të lashta.

Më pas, atletë nga 204 vende të botës, një numër rekord ky, filluan marshimin në stadium.

Më shumë se 80 udhëheqës botërorë ndoqën ceremoninë e sotme në një mbrëmje të nxehtë dhe me lagështirë. Ndotja e mjedisit dhe mjegulla e kanë ngarkuar së tepërmi ajrin e Pekinit, megjithë përpjekjte e kushtueshme për pastrimin e tij, mbylljen e uzinave dhe ndalimin e lëvizjes së makinave nëpër rrugë. Shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rogge tha se Kina ka bërë gjithshka të mundur nga ana njerëzore për ta zgjidhur këtë çështje.

Në një drekë të organizuar për nder të udhëheqësve botërorë, presidenti Hu Gjintao i cilësoi Olimpiket një mundësi për të gjithë botën, që të ndërtojë "solidaritetin, miqësinë dhe paqen". Udhëheqësi kinez tha se bota ndeshet me "mundësi të papara zhvillimi dhe sfida të vështira" dhe se për përballimin e tyre nevojitet mirëkuptimi reciprok dhe bashkëpunimi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha vendeve që janë në gjendje lufte, të respketojnë një marrëveshje dy javore gjatë Lojërave Olimpike. //mm//

XS
SM
MD
LG