Lidhje

Energjia mbizotëron fushatat e kandidatëtve për president në SHBA


Në Shtetet e Bashkuara, senatori republikan John McCain dhe senatori demokrat Barack Obama, të cilët pritet të marrin emërimet e partive të tyre si kandidatë për president, e kanë bërë temën e energjisë e sidomos uljen e çmimit të energjisë, çështjen kryesore të fushatave të tyre. Secili prej tyre ka dalë me një plan që thotë se funksionon duke kritikuar planin e tjetrit.

Megjithëse javën e fundit, çmimi i karburantit ka një farë rënieje, votuesit përsëri kërkojnë që Uashingtoni të bëjë diçka. Kandidatët për president të dy partive kryesore, e kanë kthyer këtë në një çështje po aq të nxehtë sa edhe stina që po kalojmë.
Në qershor, kandidati republikan John McCain e ndryshoi qendrimin e tij lidhur me ligjin federal që ndalon shpimetg për naftë në det.
"Duhet të shpojmë në det dhe të fillojmë menjëherë," deklaroi ai.

Zoti McCain e përshkruan rivalin e tij demokrat Barack Obama, si një kandidat që nuk është gati ta përqafojë këtë ide.
"Nuk çuditem që ai po luan me këtë ide por fakt është se ai ende është kundër shpimeve në det. Ne duhet të fillojmë qysh tani."

Por zoti Obama thotë se tani ai është në favor të shpimeve në det përsa kohë që kjo të jetë pjesë e një plani që i është paraqitur senatit dhe që përmban masa për energjinë alternativë.
"Jam gati ta studioj këtë ide nëse ajo është e domosdoshme për të siguruar miratimin e paketës së përgjithshme për energjinë."

Ndryshimi i qendrimit të zotit Obama për shpimet në det pasqyron popullaritetin që po gjen kjo ide mes votuesve, sipas analistit politik Larry Sabato në Universitetin e Virxhinias.
"Mënyra më e mirë për të parë nëse ideja e një kandidati ka fituar popullaritet është të shihet nëse rivali i tij e përqafon këtë ide, qoftë edhe pjesërisht. Dhe pikërisht këtë bëri edhe zoti Obama."

Të martën, zoti McCain vizitoi një central bërthamor në jug të Detroitit, ku bëri thirrje për ndërtimin e 45 centraleve të tillë deri në vitin 2030. Kandidatik republikan tha se zoti Obama është kundër kësaj mënyre për të nxjerrë energji.
"Senatori Obama ka thënë se zgjerimi i centraleve bërthamore nuk ka kuptim për Amerikën," u shpreh ai.

Senatori Obama, i cili thotë se e përkrah energjinë bërthamore nëse ajo përfshin masa të forta sigurie, shton se zoti McCain edhe një herë po e çorienton publikun.
"Ata e dinë se po gënjejnë lidhur me atë që përfaqëson plani im për energjinë. Duket se ata krenohen për faktin që nuk e kanë idenë rreth këtij plani."

Tani që mbeten vetëm pak javë nga kuvendet e dy partive për emërimin zyrtar të kandidatëve, po shtohen spekulimet se cilët do të jenë kandidatët për nënpresident. //mm//

XS
SM
MD
LG