Lidhje

Një frut afrikan zëvendëson shijen e sheqerit


Disa ekspertë në Shtetet e Bashkuara po shprehin entusiazëm të madh rreth një fruti afrikan i cili mund t’u japë shumë produkteve ushqimore shije të ëmbël pa qenë nevoja të përdoret sheqeri.Ky frut, që e ka emrin shkencor “Synsepalum dulcificum”, por i njohur zakonisht me emrin fruti i mrekullisë, po tërheq vemendjen edhe të studiuesve që përpiqen të gjejnë mënyra për stimulimin e oreksit.


“Synsepalum dulcificum” nuk është ndonjë frut magjik por mund të bëjë mrekullira kur është fjala për shijen.Fruti, në formën e një kokrre të vogël e ka origjinën në Afrikën Perëndimore dhe për herë të parë u importua para disa dekadash. Ai rritet tani me shumicë edhe në Florida.

Frutat ekzotike tropikale janë bërë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara. Fruti magjik tërhoqi vemendjen e zotit Kurtis Moze, i cili e zbuloi atë rastësisht në një fidanishte bimësh tropikale kur një shitës u përpoq t’i shiste atij një pemë të tillë.
“Pyeta se çfarë është fruti i mrekullisë. Më thanë se është një frut nga Afrika, pasi e ha atë dhe ha pastaj një limon, limoni të duket i ëmbël. Kështu bëra dhe këputa pastaj një limon, i cili vërtet mu duk i ëmbël. Ishte e pabesueshme.” - thotë ai

Fruti në vetvete ka pak shije. Por një komponent i tij heq shijen e tharët të frutave, duke u ndryshuar shijen natyrore disa ushqimeve.
Duke u kombinuar me agrumet dhe ushqimet me aciditet, fruti i mrekullisë krijon të njëjtën ndjenjë ëmbëlsie dhe bën që produktet e ëmbla të ëmbëlsohen akoma më shumë.

Faktet tregojnë se shumë njerëz nuk ngurrojnë të paguajnë për të shijuar frutin e mrekullisë.
Zoti Moze pa këtu një mundësi për të bërë biznes.
“Shkova në shumë fidanishte dhe i pyeta nëse mund të fitohet me frutin e mrekullisë. Shumica më thanë jo, sepse ky është një produkt i ri. Me mendimin se fidanishtet kanë më shumë përvojë se unë, e respektova fjalën e tyre. Por unë vazhdova të mbillja pemë me frutin e mrekullisë.”

Zoti Moze e quan tani veten njeriu i frutit të mrekullisë. Ai ka më shumë se një mijë pemë të tilla dhe ka klientë brenda dhe jashtë Amerikës. Ai furnizon dyqanet dhe restorantet e shtrenjta të Nju Jorkut.
Ja ç’thotë Dorn Wenninger, nënpresident i firmës ushqimore Katzman Produce të Nju Jorkut.
"Tani për tani kërkesa ka të bëjë më shumë me faktin që ky është një produkt i ri. Por disa restorante, sidomos klubet janë të interesuara, prandaj ua kemi shitur disa prej tyre.”

Firma të ndryshme studimore po shfaqin interes për frutin e mrekullisë. Disa po shikojnë mundësinë për të zëvendësuar me të sheqerin, sidomos për njerëzitg me diabet.
Një ekip në Qendrën Mjeksore Maunt Sinai në Miami do të fillojë studimet për të parë nëse fruti mund të ndihmojë të sëmurët me kancer që kurohen me kimoterapi. Ideja është për t’ua bërë atyre ushqimin më të shijshëm.

Bill Campbell në Kopshtin Botanik Fairchild, thotë se kopshti do të fillojë të prodhojë frutin e mrekullisë për studime të cilat fillojnë në gusht.
“Një nga problemet e mjekëve është humbja e peshës te pacientët që bëjnë kimoterapi, të cilët thonë se ushqimi nuk ka shije të mirë. Një nga vullnetarët tanë, i cili i ka mbijetuar kancerit duke bërë kimoterapi i përmendi mjekut pikërisht frutin e mrekullisë.”

Zoti Moze po punon gjithashtu me një kompani bioteknike për të studiuar përdorimin e frutit në mjeksi. Ai thotë se qëllimi i tij gjithmonë ka qenë të sjellë tek çdo njeri kënaqësinë e shijimit të frutit. Por përdorimi i tij për shëndetin e njerëzve do të ishte vërtet një mrekulli. /mm/

XS
SM
MD
LG