Lidhje

Në qarqet e antiterrorizmit ekziston debati për natyrën e kërcënimit terrorist


Në qarqet e antiterrorizmit është hapur një debat për natyrën e kërcënimit terrorist. Disa analistë thonë se al-Kaida është ende në qendër të veprimeve terroriste botërore të ekstremistëve islamikë. Por të tjerë thonë se radikalët islamikë nga vetë vendet perëndimore përbëjnë rrezikun më të madh.


Personat përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington u identifikuan me shpejtësi.Ata i takonin al-Kaidës, grupi radikal islamik që vepronte jashtë Afganistanit nën mbrojtjen e qeverisë Talebane.

Pasi regjimi taleban u përmbys nga luftëtarë që kishin mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, al-Kaida së bashku me shumë nga përkrahësit e saj talebanë, shkoi përtej kufirit duke u strehuar në zonat e egra dhe të pakontrolluara fisnore të Pakistanit.

Zyrtarët e zbulimit thonë se al-Kaida është riorganizuar në këtë zonë.
Por shtatë vjet pas 11 shtatorit, a vjen kërcënimi terrorist kryesisht nga al-Kaida e organizuar në Pakistan, apo organizohet shumë më afër vendeve perëndimore?

Qendra kombëtare kundër terrorizmit mbledh informacion nga të gjitha agjencitë amerikane të zbulimit dhe burime të tjera për të ndjekur lëvizjet dhe veprimtaritë terroriste.

Shefi i kësaj qendre, Michael Leiter thotë se ajo që zyrtarët e zbulimit e quajnë “bërthama e al-Kaidës” ende bën plane për të goditur Shtetet e Bashkuara.

“Do të thoja që ‘bërthama e al-Kaidës’ paraqet ende një kërcënim të madh për vendin dhe megjithëse ka ndryshuar përbën ende një rrezik të konsiderueshëm”.- thotë ai

Oficeri i zbulimit që drejtoi njësinë që ndiqte Osama bin Ladenin, thotë se al-Kaida nuk është e njëjta organizattë që kreu sulmet e vitit 2001. Michael Scheuer shërbente në CIA në atë kohë.

“Meqë ne nuk arritëm ta asgjësojmë al-Kaidën dhe aleatët e saj kryesorë, ata janë riorganizuar. Ata ende përbëjnë një rrezik të madh. Megjithatë tani ka një rrezik të ri të madh, ata që kanë gjetur frymëzim në shembullin, retorikën apo ideologjinë e al-kaidaizmit, nëse mund ta quajmë kështu”.

Zoti Scheuer thotë se forca kryesore e al-Kaidës është ajo e frymëzimit.

“Në harrojmë shpesh se al-Kaida, po të nisemi nga fjalët e bin Ladenit, apo al-Zawahirit, nuk ka qenë kurrë një organizatë kryesisht luftarake. Synimi i saj kryesor ishte të bëhej një organizatë me përgjegjësinë kryesore nxitjen e botës myslimane”.- thotë ai

Ish-analisti i CIA-s Marc Sageman thotë se radikalët islamikë të brendshëm të frymëzuar nga al-Kaida janë më pak të edukuar sesa brezi paraardhës terrorist dhe të zemëruar nga ai që mendojnë se është diskriminim.

“Ideja se perëndimi është në luftë me myslimanizmin i tërheq këta të rinjm sepse ata i përziejnë gjërat bashkë. Ata ngatërrojnë atë që po u ndodh atyre personalisht me imazhin e asaj që shohin në Irak për shembull. Dhe mendojnë se është e gjitha pjesë e një konspiracioni të madh kundër islamizmit”. - thotë ai

Katër autorët e sulmeve vetëvrasëse me bombë që u akuzuan për sulmin ndaj sistemit të transportit në Londër në vitin 2005 ishin të rinj myslimanë britanikë. Marc Sageman thotë se komplotet terroriste ku autorët janë vendas, janë më të vështira për t’u zbuluar.

“Dikur ne mund të zbulonim një komplot dhe t’i kapnim të gjithë një nga një. Tani është shumë më e vështirë sepse ata janë të shpërndarë. Prandaj unë e quaj ‘Xhihad pa udhëheqje’,”.

Shefi i Qendrës Kombëtare të Kundër Terrorizmit, Michael Leiter thotë se këta myslimanë të rinj të pakënaqur përbëjnë një rrezik të madh për vendet evropiane.

“Sigurisht ajo që kemi parë në Britani është shumë më e gjerë dhe me rrënjë të thella sesa ajo që ndodh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë nuk mendoj se ata që janë përgjegjës për kundërterrorizmin në Shtetet e Bashkuara nuk e shohin me seriozitet këtë kërcënim”.

Analistët thonë se shpesh është e vështirë të përcaktohet nëse një sulm kryhet nga al-Kaida apo vetëm frymëzohet prej saj. Zoti Leiter thotë se al-Kaida ende planifikon dhe urdhëron sulme.

Në vitin 2006, zyrtarë britanikë dhe amerikanë të kundër terrorizmit zbuluan një komplot për të hedhur në erë avionë transatlantikë dhe zoti Leiter thotë se me siguri bëhej fjalë për një operacion të “bërthamës së al-Kaidës”. //mm//

XS
SM
MD
LG