Lidhje

Sipas sondazheve Obama ka më shumë epërsi tek votueset


Një anketim i zhvilluar rishtazi me votueset gra nxjerr kandidatin demokrat për president Barak Obama në epërsi ndaj kandidatit republikan John McCain. Anketimi i kryer nga rrjeti televiz Lifetime gjithashtu shqyrton ndikimin që ka pasur prania e senatores Hillary Clinton në garë.

Rrjeti televiziv Lifetime ka është bërë nismëtar i një fushate jopartiake për të tërhequr gratë në Shtetet e Bashkuara në proceset politike të vendit, duke i shtyrë ato të votojnë e të kandidojnë. Anketuesja demokrate Celinda Lake publikoi rezultatet e një ankete kombëtare të 700 grave që u zhvillua në fund të korrikut, në lidhje me preferencat e tyre për president.

"Ende nuk dihet se cili kandidat do t'i fitojë votat e grave. Edhe pse gratë e anketuara nxjerrin kryesues kandidatin Obama, asnjë kandidat nuk ka më shumë se 50% të votave të grave. 49 % e grave të anketuara thonë se mbështesin senatorin Obama, 38 % senatorin McCain, ndersa 10% thonë se janë të pavendosura." - tha ajo

Anketa e cila u drejtua nga zonja Lake dhe anketuesi republikan Kellyanne Conway tregon se 53% e grave kanë kryesisht mendim pozitiv për kandidatin Obama. Gratë thonë se ato e pëlqejnë senatorin Obama për cilësitë e tij dhe përmendin inteligjencën, aftësitë e tij të të shprehurit, moshën e tij të re, ndershmërinë dhe energjinë e tij. Gratë qe kanë një opinion negativ për senatorin 47 vjeçar afrikano-amerikan nga shteti i Illinois thonë se atij u mungon përvoja dhe kualifikimi për t'u bërë president.

37% e grave të anketuara kryesisht preferojnë kandidatin McCain dhe shumica e tyre thonë se ai i ka kualifikimet e duhura për t'u bërë president. Gratë që preferojnë senatorin 71 vjecar nga Arizona përmendin përvojën e tij, karakterin dhe qëndrimin e tij për çështje të ndryshme. Gratë që nuk e pëlqejnë senatorin McCain përmendin vendosjen e tij në krah të administratës së presidentit Bush, karakterin e tij , moshën e tij dhe mbështetjen e tij per luftën në Irak.

Anketa e rrjetit Lifetime gjithashtu i pyeti votueset gra se me cilin kandidat do të preferonin të hipnin në të njëjtën makinë për të kursyer karburant. Anketuesi republikan Conway bën publike preferencat e tyre.

"50% e grave të anketuara thonë se ato do të preferonin senatorin Obama dhe 31% senatorin McCain. 6 % e tyre thanë se nuk do ta bënin këtë në anjë mënyrë e do të preferenin të ishin vetëm në makinë ndërsa 5% thanë se ato mund të hipnin në të njëjtën makinë me secilin kandidat pa asnjë problem." - tha Conway

Anketa tregon se 76% e grave që kishin mbështetur senatoren Hillary Klinton në garën demokrate thonë se do të votojnë për Senatorin Obama, ndërsa 18% për zotin McCain. Megjithë zhgënjimin që shumë votuese, vecanërisht gratë në moshë, kanë për humbjen e senatores Klinton, anketa tregon se shumica e tyre fajësojnë vetë kandidaten Klinton dhe drejtuesit e fushatës së saj për këtë humbje. Vetëm 21% e tyre mendojnë se ajo humbi "për arsye se ishte grua." Siç thekson anketuesi Conway, shumica e grave vlerësojnë se senatorja Clinton i ka hapur rrugën kandidateve të ardhshme gra për presidente të Shteteve të Bashkuara.

"69% e të anketuareve thonë se kandidimi i zonjes Clinton do të ndihmojë gratë që mendojnë të kandidojnë në të ardhmen e afërt. Vetëm 3% thanë se kjo do t'i shkaktojë probleme grave kandidate, ndersa 26% thanë se kandidimi i senatores Clinton nuk do të ketë ndonjë ndikim." - tha Conway

Andrew Kohut është president i Qendrës Kërkimore Pew dhe një anketues i njohur. Ai i tha Zërit të Amerikës se anketimet e tij të fundit të votueseve gra gjithashtu i japin kandidatit Obama epërsi ndaj zotit McCain. Kjo epërsi mund të krahasohet me mbështetjen e madhe qe zëvëndës-presidenti Al Gore mori nga gratë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000.

"Gratë mbështesin Senatorin Obama në shifra që besoj se mund të krahasohen me ato të ish kandidatit Al Gore." - tha ai

Por anketuesi Kohut thotë se një kategori e caktuar votuesesh gra nuk e mbështesin Senatorin Obama.

"Zoti Obama ka më shumë vështirësi me gratë në moshë. Ka mundësi që të ketë dy arsye për këtë. Gratë në moshë janë më të shqetësuara për mungesën e përvojës së tij dhe ato kanë qënë mbështetëse të fuqishme të senatores Clinton." - tha Kohu

Anketa e rrjetit Lifetime po kështu ve në dukje se gratë në moshë më të madhe se 65 vjeç preferojnë senatorin McCain kundrejt senatorit Obama me një diferencë prej nëntë pikësh. //mm//

XS
SM
MD
LG