Lidhje

Vazhdon kriza Rusi-Gjeorgji mbi Osetinë Jugore


Rusia i ka intensifikuar bombardimet të dielën kundër Gjeorgjisë fqinje, duke vënë nën shenjestër kryeqytetin e vendit Tbilisi për herë të parë, ndërkohë që trupat ruse dhe gjeorgjiane vazhdojnë luftën për provincën e debatueshme të Osetisë Jugore. Aeroplanët e ushtrisë ruse zhvilluan operacione edhe në qytetin gjeorgjian të Gorit. Gjatë sulmeve në Gori, aeroplanët rusë goditën edhe një bazë ushtarake në rrethinat e qytetit.

Operacionet ushtarake në Gori shkaktuan disa viktima civile. Bombardimet me artileri dhe aeroplanë në kryeqytetin e provincës e lanë qytetin pa ujë, ushqim, energji elektrike dhe gaz. Civilët filluan të largohen nga shtëpitë e tyre të dielën nga frika e bombardimeve të tjera ruse. Televizioni i agjencisë së lajmeve Associated Press shfaqi pamje të njerëzve të mbledhur para parlamentit gjeorgjian në kryeqytet të dielën. Po sot një zyrtar gjeorgjian tha se kanë informacione të besueshme se forcat ruse planifikojnë të sulmojnë qytetin e Zugdidit.

"Fatkeqësisht po shohim përpjekje për aneksimin e Gjeorgjisë dhe një përsëritje të asaj që ndodhi në vitin 1921. Ne, qeveria e Gjeorgjisë nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë," tha David Bakradze, kryetar i parlamentit gjeorgjian.

Më herët të dielën, sekretari i këshillit të sigurisë në Gjeorgji, Aleksandër Lomaia, konfirmoi se rusët kishin zhvilluar operacione në një ndërtesë ushtarake në Zugdidi, pa shkaktuar viktima. Zoti Lomaia tha gjithashtu se trupat gjeorgjiane ishin zhvendosur ndërkohë në pozicione të reja jashtë Osetisë Jugore.

Ndërkohë, kryeministri rus Vladimir Putin u takua sot me presidentin Dimitri Medvedev, dhe tha se ka shenja se kundër popullit të Osetisë Jugore është kryer gjenocid. Zoti Putin tha gjithashtu se Gjeorgjia e kishte humbur të drejtën për të sunduar provincën që kërkon të ndahet, çka mund të jetë tregues se Moska mund të jetë e gatshme të përmbushë dëshirën e Osetisë Jugore për t'u përshirë brenda kufijve rusë.

"Përshtypja ime është se ka shenja gjenocidi kundër popullit të Osetisë Jugore. Mendoj se është me vend, të jepnit urdhër që të mblidhen prova në lidhje me këtë," i tha kryeministri Putin presidentit Medvedev gjatë një takimi në Moskë.

Për zotin Medvedev dhënia e urdhërit ishte veçse e natyrshme.

"Natyrisht që do ta jap këtë urdhër, sepse prokurori ushtarak duhet t'i shqyrtojë këto ngjarje. Kemi të bëjmë me jetët e qytetarëve tanë dhe ne jemi përgjegjës për ta . Prandaj, të gjitha krimet duhet të analizohen dhe personat përgjegjës të ndiqen penalisht."

Ndërkohë, bombardimet ruse detyruan trupat gjeorgjiane të tërhiqen nga kryeqyteti i Osetisë Jugore. Aeroplanët rusë bombarduan të dielën një fabrikë në rrethinat e kryeqytetit Tbilisi duke shkaktuar dëme por jo viktima.

Ndërkaq, studentët nga Evropa Lindore kanë filluar të largohen nga Tbilisi, nga frika se dhuna në Osetinë Jugore mund të përhapet deri në kryeqytetin e Gjeorgjisë. Ndërsa luftimet intensifikoheshin, studentë nga Polonia, Lituania dhe Republika Çeke u nisën për në kryeqytetin armen Jerevan për të fluturuar prej aty në vendet e tyre. Shumë fluturime nga aeroporti i Tbilisit janë anulluar. Agjencia e lajmeve Associate Press shfaqi pamje të studentëve me lot në sy ndërsa hipnin në autobuzë për t'u larguar nga kryeqyteti gjeorgjian.

Dhuna e ditëve të fundit është më e ashpra që ka shpërthyer që kur Osetia Jugore fitoi pavarësinë de facto pas një lufte kundër Gjeorgjisë e cila përfundoi në vitin 1992.

Gjeorgjia, e cila shtrihet në kufi me Detin e Zi, Turqinë dhe Rusinë, ishte nën sundimin e Moskës për më shumë se dy shekuj para se të shkëputej nga Bashkimi Sovietik. //bsa//

XS
SM
MD
LG