Lidhje

SHBA, rol aktiv në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në Gjeorgji


Shtetet e Bashkuara, së bashku me anëtarët e tjerë të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës shprehën mbështetjen për përpjekjet për ndërmjetësim në konfliktin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë që po kryhen nga Ministri i Jashtëm francez Bernar Kushner dhe homologu i tij finlandez Aleksandër Stab. Një i dërguar amerikan është nisur në rajon për të ndihmuar në përpjekjet e paqes.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thonë se diskutimet telefonike mes Sekretares së Shtetit Condoliza Rajs dhe homologëve të saj të grupit të shtatëshes ishin në vazhdën e mbi 50 telefonatave që ajo ka pasur me udhëheqës botërorë lidhur me krizën e Gjeorgjisë.

Departamenti i Shtetit tha se shtatë vendet rikonfirmuan mbështetjen për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe i bënë thirrje Rusisë t'i respektojë ato si edhe të pranojë armëpushimin e menjëhershëm që po ofron Gjeorgjia.

Ata shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për viktimat civile dhe sulmet e vazhdueshme mbi zonat e banuara, si edhe mbështetën përpjekjet e ndërmjetësimit që po ndërmarrin Franca dhe Finlanda në emër të Bashkimit Evropian dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

Zëvendës Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Robert Ud tha se zonja Rajs ka dërguar një diplomat të lartë në rajon për të mbështetur përpjekjet për ndërmjetësim.

Ai tha se Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Methju Briza ishte nisur nga Uashingtoni të dielën në mbrëmje, por nuk dha hollësi për itinerarin e tij.

Zëdhënësi Ud, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, i hodhi poshtë sugjerimet se Shtetet e Bashkuara nuk ushtron dot ndikim mbi Moskën në kërkesat për ndërprerjen e ofensivës ruse në Gjeorgji.

Zoti Ud tha se opinioni botëror ka marrë zemër nga ajo që Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar si reagim të ekzagjeruar ndaj zhvillimeve në Gjeorgji dhe tha se Rusia duhet t'i marrë parasysh thirrjet për t'i dhënë fund konfliktit.

"Nuk bëhet fjalë vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për aleatët e Uashingtonit. Po ashtu opinioni ndërkombëtar do që ky konflikt të marrë fund. Duam që Rusia të tërhiqet dhe të ndalë sulmet ndaj Gjeorgjisë. Çka është më e rëndësishme, ne duam të shohim një armëpushim të menjëhershëm. Duam që përpjekjet për ndërmjetësim të kenë efekt. Ndërmjetësimi është i nevojshëm. Duam që rusët ta pranojnë ndërmjetësimin".

Megjithëse zëdhënësi Ud nuk pranoi të jepte hollësi mbi kontaktet diplomatike të Sekretares Rajs, një zyrtare e lartë tha se kishte folur të paktën tri herë me Presidentin gjeorgjian Mikhail Saakashvili.

Edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e ka pranuar se ka biseduar disa herë me zonjën Rajs.

Zëdhënësi Ud tha se Shtetet e Bashkuara kanë pasur kontakte me zyrtarët gjeorgjianë për të ndihmuar në krijimin e kushteve për kthimin e kontigjentit gjeorgjian prej dy mijë trupash që ndodhet në Irak, për shkak të krizës, por ai nuk dha hollësi.

Rusia është ankuar duke thënë se një ndihmë e tillë do të përbënte një ndërhyrje aktive amerikane në konflikt dhe Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin ka lënë të kuptohet se zyrtarët amerikanë mund të kenë miratuar fillimin e ofensivës gjeorgjiane në Osetinë Jugore.

Zoti Ud tha se Shtetet e Bashkuara japin leje për çështje të tilla dhe tha se pyetjet për vendimin e Gjeorgjisë duhet t'i drejtohen qeverisë së Tbilisit.

Ai tha se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara janë të përqendruara tek rrugët për t'i dhënë fund këtij konflikti shumë të rrezikshëm. //kk//

XS
SM
MD
LG