Lidhje

Gjeorgji: Rusia ka hapur një front të dytë luftimesh


Gjeorgjia tha se Rusia ka hapur një front të dytë luftimesh në atë vend, duke dërguar automjete të blinduara matanë 2 territoreve separatiste për të marrë nën kontroll një bazë ushtarake gjeorgjiane në territorin e Gjeorgjisë.

Senaki shtrihet rreth 40 kilometra në jug të Abkazisë, republika tjetër separatiste e Gjeorgjisë, afër Detit të Zi.

Po sot më parë, Moska bëri një ultimatum, duke kërkuar që 1 mijë e 500 trupa gjeorgjiane të dislokuara afër Abkazisë, ose të çarmatosen ose do të sulmohen. Gjeorgjia hodhi poshtë thirrjen për çarmatim, një ditë pasi autoritetet ruse thanë se po përgatiteshin për dislokimin e 9 mijë trupave në Abkazi.

Avionët luftarakë rusë ndërmorën sot përsëri sulme ndaj objektivave gjeorgjiane, ndërsa Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili i bëri përsëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë për t’u dhënë fund luftimeve. Ai tha se Rusia po përpiqej të pushtonte gjithë Gjeorgjinë dhe ta asgjësojë vendin e tij.

Zyrtarët rusë thanë se forcat gjeorgjiane vazhduan të hapin zjarr në Tskhinvali, kryeqyteti i Osetisë Jugore. Rusia thotë se ka plotësisht nën kontroll qytetin.

Trupat gjeorgjiane, u larguan dje nga Osetia Jugore pasi nuk arritën t’u bënin ballë goditjeve ruse. (ze)

XS
SM
MD
LG