Lidhje

Si do të ndikojë raca në zgjedhjet presidenciale?


Disa sondazhe të opinionit publik tregojnë se amerikanët janë të ndarë në baza racore për sa u përket zgjedhjeve presidenciale të këtij viti. Kandidati presidencial i partisë demokrate, senatori Barak Obama është afrikano-amerikani i parë që përfaqson njërën nga partitë kryesore në garën presidenciale. Sondazhet tregojnë se votuesit afrikano amerikanë e mbështesin atë bindshëm ndaj kundërshtarit të tij, senatorit Xhon Mekejn.


Në kuvendin e organizatës Alfa Kapa Alfa, shoqata më e vjetër studentore afrikano amerikane, këto vajza, si shumica e afrikano amerikanëve, janë përkrahëse të flakta të Barak Obamës. Ato janë shumë të gëzuara që ai do të jetë kandidati presidencial i partisë demokrate kundër senatorit republikan Xhon Mekejn. Candice Walker nga Chicago thotë se kandidatura e senatorit Obama për Shtëpinë e Bardhë është një ngjarje historike.

"Ne shpresojmë që njerëzit të shikojnë aftësitë e tij dhe të thonë: ai mund të sjellë ndryshim. Ai tanimë ka sjellë një ndryshim me faktin se ka kandiduar dhe se shumë njerëz nga të gjitha grupet etnike dhe racore kanë votuar për të".

Në muajin mars, senatori Obama mbajti një fjalim mbi racën. Ai tha se zezakët nuk duhej ta ndjejnë veten viktima të racizmit që ende ekziston aty-këtu.

"Raca është një çështje që sot vendi ynë nuk mund ta lerë mënjanë. Për komunitetin afrikano-amerikan kjo do të thotë se do të duhet të mos harrojnë vuajtjet e së kaluarës por pa u bërë viktimë e saj."

Afrikano-amerikanët si Warren Boyd nga Washingtoni besojnë se votuesit janë të gatshëm të zgjedhin një president afrikano-amerikan.

Eleanor Holmes Norton është përfaqësuese e qytetit të Washingtonit në Kongres. Ajo thotë se vendi ka përparuar mjaft në këtë aspekt.

"Mendoj se ky vend i cili ka pasur skllavëri dhe diskriminim nuk duhet të harrojë se koha ecën. Një ndër arsyet që ky kandidat ka pasur kaq shumë sukses është se ka tërhequr shumë njerëz të rinj në proces, të rinj që më parë nuk ishin të interesuar për politikën."

Analistët thonë se gjatë fushatës senatori Obama i është shmangur temave rreth racës me arsyen që votuesit e bardhë të mos e shohin atë vetëm si një kandidat afrikano-amerikan. Ai vazhdimisht ka theksuar preardhjen e tij nga një bir i një burri nga Kenia dhe një gruaje të bardhë nga Kanzasi. Vesla Weaver është profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Virxhinias.

"Ai e ka distancuar veten nga paragjykime që karakterizojnë kandidatët afrikano-amerikanë por pa e braktisur plotësisht bazën e votuesve zezakë."

Tony Mathews nga shteti i Merilendit beson se senatori Obama do të mund të kapërcejë dasitë racore.

"Mendoj se nëse dikush shikon inteligjencën e tij, aftësinë e tij për të udhëhequr vendin atëherë amerikanët e bardhë do të mund të pajtohen me faktin se edhe pse zezak ai do të mund të jetë një udhëheqës i mirë. Sa të bardhë do ta bëjnë këtë? Kjo pritet të shihet."

Një sondazh i gazetëz New York Times dhe rrjetit televiziv CBS, tregon se kandidatura e senatorit Obama ka entuziazmuar shumë votues afrikano-amerikanë. Por ata nuk e shohin këtë si fakt se mardhëniet ndër-racore po përmirësohen.

Por Dana Smith nga Teksasi mendon se nëse zoti Obama do të zgjidhej president, mardhëniet ndërracore do të përmirësoheshin.

"Tani për tani nuk jemi aty ku do të duhej të ishim por mendoj se senatori Obama do të mund të përmirësojë këto ndryshime që na ndajnë."

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e afrikano-amerikanëve përkrahin senatorin Obama dhe shumica e atyre që dhanë komente për Zërin e Amerikës, thanë se raca do të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë garë por shpresojnë që të mos jetë faktori përcaktues.//rd//

XS
SM
MD
LG