Lidhje

SHBA: Fokusi i përpjekjeve për armëpushim në Gjeorgji, është vetëm diplomacia


Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleeza Rice dhe kolegët e saj të G-7 kanë bërë një apel të përbashkët për Rusinë që të pranojë armëpushimin e ofruar nga Gjeorgjia dhe të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e fqinjit të saj më të vogël.

Zonja Rajs dhe ministrat e jashtëm të Japonisë, Italisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Kanadasë diskutuan rreth krizës në një konferencë telefonike, duke mbështetur përpjekjet ndërmejtësuese të Ministrit të Jashtëm francez Bernard Kushner dhe minsitrit të Jashtëm finlandez Aleksandër Stubb, që përfaqësojnë BE-në dhe OSBE-në.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Robert Wood tha se konferenca telefonike është një prej 90 bisedave që Sekretarja amerikan e shtetit Rajs ka zhvilluar me udhëheqësit e huaj që nga dita e premte, në përpjekje për të ndalur luftimet.

Sekretarja e Shtetit ka folur në çdo rats që ka pasur gjatë kësaj periudhe me Presidenti gjeorgjian Saakashvilli dhe Ministrin e Jashtëm rus Lavrov, mes të tjerëve.

Zëdhënësi Wood tha se fokusi është përfundimisht tek diplomacia, dhe nuk diskutohet që të ketë ndërhyrje ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ndihma ushtarake për Gjeorgjinë.

"E para ne nuk marrim pjesë në asnjë konflikt. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Gjeorgjinë që t'i kthejmë trupat e tyre nga Iraku në Gjeorgji. Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti. Ne po i bëjmë thirrje Rusisë që të ndalë agresionin dhe të bjerë dakort me përpjekjet për ndërmjetësim". -tha ai

Zëdhënësi tha se Specialisti i Departamentit të Shtetit për rajonin e Kaukazeve, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane Matthew Bryza, arriti dje në Tbilisi për t'iu bashkaur përpjekjeve ndërkombëtare për ndërmjetësim.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nisur që të shpërndajnë ndihma humanitare në Gjeorgji. Një ndihmë fillestare prej 250 mijë dollarësh nga ambasada amerikane në Tbilisi u konsumua shumë shpejt dje, por ai tha se po hartohen plane për të sjellë ndihma emergjente nga Gjemania.

Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në evakuimin e rreth 170 shtetasve amerikanë nga Gjeorgjia drejt Armenisë. Anëtarë të familjeve të personelit të ambasadës amerikane, gjithashtu janë larguar, megjithatë misioni diplomatik amerikan në Tbilisi ende është i hapur. //mm//

XS
SM
MD
LG