Lidhje

Cilët janë faktorët që çuan në konfliktin mbi Osetinë Jugore


Luftimet ndërmjet trupave ruse dhe gjeorgjiane janë shtrirë në pjesën perëndimore të Gjeorgjisë, ndërkohë që duket se po marrin hov edhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur përleshjet. Kronika nga Uashingtoni shqyrton shkaqet që çuan në konflikt në një rajon shumë të paqëndrueshëm të botës:

Analistët pohojnë se konflikti aktual ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë u nxit nga fakti që Tbilisi dërgoi javën e kaluar trupa në përpjekje për të marrë nën kontroll Tskhinvalin, kryeqytetin e republikës separatiste të Osetisë Jugore. Rusia, e cila ka trupa të dislokuara në këtë republikë separatiste, iu përgjigj sulmit duke dërguar trupa shtesë, tanke dhe automjete të blinduara në rajon dhe duke u hedhur në ofensivë.

Osetia Jugore, së bashku me rajonin e Abkazisë, shpalli pavarësinë nga Gjeorgjia në mes të viteve '90. Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Sakashvili është zotuar të vërë përsëri nën kontroll të dyja rajonet.

Tensionet kanë vazhduar të shkallëzohen gjatë muajve, ndërkohë që Rusia ka intensifikuar lidhjet ekonomike, tregtare dhe politike me dy rajonet separatiste. Një seri veprimesh ushtarake si nga Gjeorgjia dhe nga Rusia në rajon ndihmuan në rritjen më tej të tensioneve.

Shumë ekspertë nuk po gjejnë shpjegim për faktin përse President Sakashvili vendosi të dërgojë trupa në Osetinë Jugore në atë kohë. Por shumë analistë, përfshirë Marshall Goldman i Universitetit Harvard, thotë se ky hap ishte një llogaritje shumë e gabuar.

"Ai gjeti tamam momentin e gabuar. Sakashvili ishte i irrituar pasi rusët kishin shkelur hapësirën ajrore të Gjeorgjisë. Ndoshta ai mendonte se kjo ishte mënyra më e mirë për të vepruar. Pa dyshim ky veprim i provokoi rusët. Mendoj se rusët po kërkonin justifikim dhe Sakashvili ia dha këtë shans."

Udhëheqësit perëndimorë, përfshirë Presidentin amerikan Xhorxh Bush thonë se përgjigja ruse ka qenë më e ekzagjeruar se duhet.

Robert Legvold i Universitetit Kolumia në Nju Jork thotë se përgjigja e fortë ushtarake e Rusisë i kapërcen tej mase arsyet e saj fillestare për të mbrojtur qytetarët rusë në rajon:

"Nuk bëhet më fjalë për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Osetinë Jugore. Tani, mendoj unë, synimi është të shkatërrohet ndikimi i Gjeorgjisë në Osetinë Jugore dhe biles edhe në Abkazi, si dhe përgatitja e terrenit, nëse Rusia e dëshiron një gjë të tillë, për aneksimin e Osetisë Jugore. Në rastin e Abkazisë, synohet që të njihet pavarësia e këtij rajoni dhe pastaj të fillojnë përpjekjet për një formë tjetër marrëdhëniesh me të."

Analistët thonë se përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Gjeorgji ka qenë e vakët. Ja si shprehet analisti Marshall Goldman:

"Evropianët kanë qenë të neutralizuar. Pjesërisht për arsye se janë të varur nga nafta dhe gazi rus. Për shembull, në rastin e Gjermanisë, Rusia përmbush 42 për qind të nevojave të këtij vendi për gaz natyror. Prandaj nuk mund të pritet që gjermanët të marrin rol udhëheqës në këtë çështje."

Eskpertët thonë se Shtetet e Bashkuara, përkrahëse të forta të Presidentit gjeorgjian Sakashvili, nuk kanë qenë në gjendje të bindin të dyja palët të ndalin konfliktin.

Robert Legvold thotë se kjo krizë mund të rezultojë në një dështim të politikës së jashtme amerikane, pasi nga njëra anë nuk është në gjendje të ndihmojë ushtarakisht Gjeorgjinë, dhe nga ana tjetër nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll Rusinë:

"Gjeorgjianët po fajësojnë Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që edhe Moska po fajëson Shtetet e Bashkuara. Gjeorgjianët fajësojnë Uashingtonin se i kanë braktisur, i kanë tradhëtuar. Rusët akuzojnë Shtetet e Bashkuara, pasi ata prej kohësh kanë mbështetur Sakashvilin, që rusët e konsiderojnë si një udhëheqës kokëkrisur."

Analisti Legvold dhe të tjerë mendojnë se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për të siguruar një ndalim-zjarri para se konflikti në rajon të dalë plotësisht jashtë kontrollit. //ad//

XS
SM
MD
LG