Lidhje

Ndihmat financiare të korporatave sponsorizuese të Lojrave Olimpike


Korporatat sponsorizuese të Lojrave Olimpike, gjatë viteve të fundit kanë paguar një pjesë të rëndësishme të tyre. Ato i japin fondet direkt në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe blejnë gjithashtu kohë për reklama në kanalet transmetuese. Korporatat shpresojnë të realizojnë fitime nga publiciteti dhe vullneti i mirë në Lojrat Olimpike.

Por disa organizata të të drejtave të njeriut thonë se duke mbështetur Lojrat Olimpike, sponsorizuesit mbështesin vendin mikëpritës, që ka shkelur vazhdimisht të drejtat e qytetarëve të tij. Organizata Human Rights Watch u bëri thirrje sponsorizuesve të flasin hapur për këtë çëshje ose do të rrezikonin reputacionin e tyre.

Ndërkohë, sponsorizuesit e Olimpikut thonë se duke angazhuar Kinën, ata po e detyrojnë atë të bëjë ndryshime.

Ekspozita e Coca Colas në Lojrat Olimpike të Pekinit tregon një shishe gjigante me punime artistike që perfaqësojnë provincat e ndryshme të Kinës. Coca Cola është një nga 12 korporatat ndërkombëtare që paguan gati 100 milionë dollarë secila për të qënë sponsorizueset kryesorë të këtyre lojrave. Këto kompani do të paguajnë gjithashtu një pjesë të madhe të gati 6 miliardë dollarëve që do të shpenzohen për të reklamuar gjatë lojrave olimpike. Synimi i tyre është i thjeshtë – të bëjnë para duke shitur më shumë produkte në Kinë dhe në mbarë botën. Disa grupe të të drejtave të njeriut thonë se duke bërë biznes me Kinën, këto kompani po i japin qeverisë njeë mbështetje të heshtur për shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut. Shumë spektatorë të Lojrave Olimpike si Bler Uitmarsh nga Kanadaja thonë se financimi i Olimpikeve nuk i bën korporatat të pajtohen me politikat e Kinës.

"Lojrat Olimpike tentojnë të jenë jo-politike kështu që edhe unë nën këtë prizëm i shoh. Është një mënyrë për të financuar lojrat dhe na lejon të kemi konkurrencën më të madhe të Lojrave Olimpike".

Në hapje të Lojrave Olimpike, McDonalds hapi restorantin e tij më të madh në botë në qendër të kompleksit kryesor të lojrave në Pekin. McDonald's ka qënë në Kinë që nga vitet 1990 dhe këtë vit do të ketë një mijë restorante në atë vend. Ish fituesi i Lojrave Olimpike Karl Lluis u punësua nga McDonald's për të reklamuar hapjen e restorantit të ri në Pekin. Ai i del në mbrojtje kompanive si McDonalds që punojnë në Kinë duke thënë se ato kanë pasur një ndikim pozitiv.

"Kinës i është dashur të bëjë lëshime dhe kinezët do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen në mënyrë që të perfshihet me botën. Sigurisht ne nuk mund të sprapsim globalizimin. Ne jemi këtu dhe për kompanitë si McDonald's që i sheh ngado në Kinë, që punësojnë njerëzit dhe i bëjnë kinezët të kuptojnë kulturat e ndryshme. Mendoj se është gjë e mirë".

Kryetari i Komitetit Olimpik amerikan Piter Ueberroth ishte gjithashtu pjesëmarres ne ceremonine e hapjes. Ai organizoi lojrat e para të financuara në Los Angeles në vitin 1984 dhe tha se sponsorizuesit u ofrojnë vendeve si Kina nisma për të arritur standartet ndërkombëtare.

"Mendoj se kur hap vendin ndaj botës, qëndrimet ndryshojnë. Olimpiket e hapën këtë vend si askush tjetër në histori".

Zoti Ueberroth tha se ndihma për të financuar Lojrat Olimpike në Kinë përmes sponsorizimit të korporatave ka më shumë të ngjarë të sjellë ndryshime se sa bojkotimi i kësaj ngjarjeje. (ze)

XS
SM
MD
LG