Lidhje

Prishtina kundërshton krahasimet me Gjeorgjinë


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i quajti kundërshtarë të pavarësisë ata që bëjnë përpjekje për ta paraqitur Kosovën si precedent edhe për raste të tjera në botë. Ai tha se Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër dhe as me Gjeorgjinë. Gjatë një vizite në qendrën mediale në Cagllavicë afër Prishtinës, një fshat i banuar me pjesëtarë të komunitetit serb, presidenti Sejdiu tha se karakteri i veçantë i Kosovës është pasqyruar në planin e krye negociatorit Martti Ahtisari, ku ajo përcaktohet si vend në shërbim të të gjithë qytetarëve me një qasje të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë edhe me vendet e rajonit. "Kosova paraqet shembullin "sui generis" në krejt cilësinë e saj edhe historike edhe juridike edhe politike e kushtetuese. Dhe absolutisht nuk mund të jetë krahasim dhe paralele që mund të shërbejë në hapësira të tjera të globit. Kjo është sqaruar më së miri në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe natyrisht në cilësinë e tillë edhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare", theksoi presidenti Sejdiu.

Ai tha se Kosova paraqet qasjen më të mirë të mundshme të bashkëpunimit edhe me ata që kanë nxitur gjendje tragjike në të kaluarën. Kosova tha ai është e përkushtuar që atë pjesë të historisë ta ketë pjesë të kujtesës dhe të ketë marrëdhënie të mira madje edhe me Republikën e Serbisë. "Prandaj ne nuk shohim se shembulli i Kosovës mund të lidhet me shembuj identik me diku tjetër. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës e kanë dëshiruar që ta cilësojnë Kosovën si precedent për zgjedhje të tjera, por mendoj që argumentet janë tërësisht të tjera. Për ne është me rëndësi që të bëjmë një apel edhe nga këtu për paqen dhe stabilitetin që duhet të jetë edhe në rajonet tjera të botës. Dhe në këtë kuadër natyrisht që na vjen shumë keq dhe shumë rëndë për viktimat që ndodhin edhe në Republikën e Gjeorgjisë", theksoi ai.

Presidenti Sejdiu hodhi poshtë çdo mundësi që zhvillimet në Gjeorgji të pasqyrohen në procesin e njohjes së mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. "Mendoj se procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është në rrugën e vet. Nuk është proces që duhet të lidhet me zhvillimet që mund të jenë në rajone të tjera. Mbase dikush do të ketë dëshirë ta trumbetojë si të tillë. Sigurisht që ne kemi kapërcyer një fazë të rëndësishme të njohjeve të para që i janë bërë Kosovës. Mendoj se procesi do të vazhdojë", tha presidenti Sejdiu

Deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 45 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Por, pavarësia është kundërshtuar ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia, të cilat kundërshtojnë edhe planet për vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian që do të duhej të zëvendësonte Misionin aktual të Kombeve të Bashkuara. Veriu i vendit është shndërruar në skenë të kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së vendit, duke shtuar shqetësimet për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Presidenti Sejdiu tha sot se problemet janë të hapura në këtë pjesë të Kosovës por hodhi poshtë çdo mundësi të cenimit të tërësisë tokësore të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG