Lidhje

Majkell Felps drejt përmbushjes së objektivit për 8 medalje të arta


19 medalje të arta u ndanë pas garave olimpike të martën në Pekin. Notarët amerikanë e shfrytëzuan ditën e djeshme për t'i shtuar 3 medalje të arta totalit të fituar nga Shtetet e Bashkuara.

Majkëll Felps fitoi të martën medaljen e tretë të artë dhe përsëri vendosi rekord botëror. Këtë radhë ai siguroi fitore në garën e 200 metrave stil i lirë, që e kishte zhgënjyer në Lojërat e Athinës. Në komentet pas garës ai thotë se këtë radhë ndjehet edhe më i motivuar për fitore:

"Këtë radhë duhet të realizosh gara edhe më të shpejta se 4 vjet më parë për t'u kualifikuar për gjysmë-finale dhe finale. Nëse vazhdoj të notoj si kam notuar deri tani, shpresoj se çdo gjë do të ecë mirë. Jam shumë i kënaqur me ecurinë e deritanishme dhe thuasje kam arritur gjysmën e objektivit."

Pjesërisht i frymëzuar nga Majkëll Felps, amerikani tjetër Aron Piersol theu rekordin e tij në 100 metra stil shpinë me kohën 1 minut e 52 pikë 54 sekonda.

"Kemi 4 javë që bëjmë stërvitje së bashku. E kam fare të qartë sa i mirë është ekipi ynë i notit. Ai na ka frymëzuar ne të tjerëve, ashtu si e frymëzojmë edhe ne. Ajo që po arrin Majkëll, pa dyshim na nxit edhe ne të bëjmë më shumë."

Natalie Coflin mori medalje të artë në garën e 100 metrave stil shpinë, jo vetëm duke ia kaluar notares Kristi Coventri të Zimbabvesë, që mbante rekordin botëror, por duke u bërë e para grua në historinë e Olimpikeve që fiton në dy olimpiada radhazi në këtë garë. Ajo shpjegon se frymëzimin e mori nga një garë emocionuese të hënën:

"Ekipi amerikan ishte shumë i motivuar sot. Mendoj se frymëzimi na erdhi nga fitorja e ekipit të meshkujve në stafetë 400 metra stil i lirë. Ishte ndoshta gara më emocionuese që kam parë ndonjëherë. Na bëri të gjithëve të marrim zemër."

Australiania Leisel Xhons, e cila 4 vjet më parë në Athinë nuk arriti të realizonte ëndrrën e saj olimpike, gjeti shpagim këtë radhë në garën e 100 metrave stil bretkocë.

"Të gjithë ata që përjetojnë zhgënjim dhe kritika e kanë të qartë sa e vështirë është. Por kur arrin ta kapërcesh një fazë të tillë dhe të marrësh medaljen e artë, të duket një arritje edhe më e rëndësishme se sa po ta fitosh që me herë të parë."

Ndër 15 garat e tjera, amerikani Glen Eller siguroi fitore në garën e qitjes për meshkuj. Jin Jong Oh mori medaljen e artë në qitje me pistoletë nga 50 metra. Gjithashtu Kina siguroi një epërsi të ndjeshme në gjimnastikën artistike për meshkuj, pasuar nga Japonia dhe më pas Shtetet e Bashkuara.

Kina mori një tjetër medalje të artë dje në zhytje të sinkronizuar për femra nga distanca 10 metra. Në mundje greko-romake dominuan rusët. Nazir Mankiev ishte fitues në kategorinë e 55 kilogramë, ndërsa në kategorinë 60 kilogramë fitorja i takoi Islam-Beka Albievit. Ndër momente të tjera të spikatura gjatë garave të djeshme, ishte kualifikimi i ekipit amerikan të përbërë nga Howard Bach dhe Bob Malaythong për çerek-finalet e babingtonit. Ky është ekipi i parë amerikan që arrin të dalë në çerekfinale në këtë sport.

Në fund të ditës së martë Kina ruajti epërsinë me 13 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 4 bronxi. Në vend të dytë Shtetet e Bashkuara me 7 medalje të arta, pasuar nga Korea e Jugut me pesë medalje të arta. //ad//

XS
SM
MD
LG