Lidhje

NATO: Rusia dhe Gjeorgjia t'i kthehen status quo-së së para 6 gushtit


Ndërkohë që Rusia deklaroi se do t'i jepte fund operacioneve të saj ushtarake në Gjeorgji, anëtarët e NATO-s bënë thirrje për rikthim në status quo-në e para konfliktit dhe thanë se kriza e tanishme nuk do të ndikojë tek shanset e Gjeorgjisë për t'u anëtarësuar në Aleancë.

Pas një takimi të ambasadorëve të NATO-s në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jap de Hop Shefer u tha gazetarëve se të dyja palët duhet të kthehen në pozicionet që kanë pasur para 6 gushtit, kur filluan luftimet në rajonin separatist të Osetisë Jugore dhe u përhapën në pjesë të tjera të Gjeorgjisë.

Ambasadorët bënë thirrje gjithashtu që të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Gjeorgjisë.

"Armëpushimi nuk është diskutuar sa duhet. Ёshtë e rëndësishme që të gjitha palët t'i kthehen status quo-së që ekzistonte para 6 gushtit."

Zoti De Hop Shefer iu bashkua thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të dy palët të mos ndërhyjnë tek ndihmat humanitare që dërgohen në rajon.

"Ekziston një nevojë urgjente për të trajtuar situatën e rëndë humanitare. Dhe kjo ka të bëjë me të dy palët. Ёshtë shumë e nevojshme dhe urgjente që organizatat humanitare dhe të tjerë të kenë qasje tek personat e zhvendosur, viktimat dhe të plagosurit."

Presidenti rus Dimitri Medvedev urdhëroi ndalimin e operacioneve ushtarake, megjithëse Gjeorgjia tha se forcat ruse vazhduan bombardimet të martën në disa zona. Franca mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe presidenti i vendit Nikolas Sarkozi ishte të martën në Moskë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën.

Kërkesa e Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO u refuzua në prill, por me mundësinë për t'u anëtarësuar në të ardhmen. Ambasadori i Gjeorgjisë në NATO u tha gazetarëve në Bruksel se beson që mesazhi për shtyrjen e anëtarësimin është marrë nga Rusia si dritë e gjelbër për të sulmuar.

Disa vëzhgues besojnë se luftimet mund ta kenë dëmtuar perspektivën e Gjeorgjisë për në NATO, meqenëse anëtarësimi i saj mund ta tërheqë Aleancën në konfliktet e ardhshme në rajon. Por zoti De Hop Shefer tha se shanset e Gjeorgjisë për t'u anëtarësuar në NATO nuk kanë ndryshuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG