Lidhje

Ambasada amerikane në Pekin, e dyta për nga madhësia në botë


Presidenti Bush mori pjesë kohët e fundit në përurimin e ambasadës së re amerikane në Pekin, duke e quajtur atë një simbol të mardhënieve gjithnjë e më të ngushta ndërmjet dy partnerëve tregtarë. Ambasada tetëkatësh, e cila ka kushtuar 434 milion dollarë, është ambasada e dytë amerikane më e madhe në botë, pas asaj në Bagdat. Kjo godinë e shtrenjtë pasqyron rëndësinë n ë rritje të marrëdhënieve amerikano-kineze, megjithë mosmarrëveshjet për një gamë çështjesh mes dy vendeve.

Ndërtesa prej 150 mijë metrash katrorë dhe me xhama kundër plumbit shtrihet në një hapësirë prej më tepër se 4 hektarësh në zonën e re diplomatike të Pekinit.

Gjatë ceremonisë së inagurimit, presidenti Bush vuri theksin te përpjekjet e të dy vendeve rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut, luftën ndaj epidemive dhe përgjigjen ndaj katastrofave natyrore. Por ai gjithashtu kritikoi Kinën për shtypjen e qytetarëve të vet.

“Ne vazhdojmë të besojmë se të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtën të shprehin mendimin e tyre dhe të praktikojnë besimin e tyre fetar. Ne besojmë fuqimisht se shoqëritë që lejojnë shprehjen e lirë të ideve kanë prirje të jenë më të zhvilluara dhe më paqësore”.

Kjo deklaratë u prit me reagimet e një zëdhënësi të ministrisë së jashtme të Kinës, i cili e akuzoi presidentin Bush se po ndërhyn në punët e brendshme të Kinës.

Kontaktet diplomatike ndërmjet dy vendeve gjatë administratës së preidentit Bush janë shtuar. Në vitin 2001 ambasada amerikane në Pekin kishte rreth 500 punëtorë. Sot ky numër është mbi dyfishuar. Presidenti Bush tha se ambasada e re tregon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të forcuar mardhëniet me Kinën.

Por përjashta ambasadës në Pekin, ja si u shpreh një turist amerikan.

“Kjo ndërtesë është me të vërtetë mahnitëse. Nuk kemi nevojë për një ndërtesë të tillë, por mendoj se në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Kina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në arenën ndërkombëtare dhe ne duhet të jemi të angazhuar me këtë vend”.

Arkitekti i Departamentit të Shtetit John Holleran thotë se ndërtesa është më pak moderne se shumë ndërtesa të ngritura kohët e fundit në Pekin.

“Krahasuar me ndërtesa të tjera si Kulla e Televizionit Shtetëror Kinez, Teatri Kombëtar, stadiumi Çerdhja e Zogut apo Pishina Kubike, ambasada amerikane i përshtatet ambjentit përreth. Ambasada jonë është mjaft modeste krahasuar me disa prej ndërtesave të tjera përreth saj”.

Kina është tani partneri i dytë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, pas Kandasë. Dhe në përurimin e ambasadës së re amerikane në Pekin, presidenti Bush tha se ndërtesa impresionuese pasqyron rëndësinë e marrëdhënieve të Amerikës me Kinën. (ze)

XS
SM
MD
LG