Lidhje

Në Gjeorgji mbërrijnë ndihmat e para humanitare amerikane

  • Al Pessin
  • Pentagon

Një ekip prej 12 ushtarakësh amerikanë mbërriti mbrëmë në Gjeorgji, për të bërë vlerësimin e nevojave në frontin humanitar, pas sulmit të Rusisë atje. Ekipi në fjalë shkon në kuadrin e ndihmave amerikane të emergjencës për Gjeorgjinë, të kërkuara dje nga Presidenti Bush.


Zëdhënësi i Pentagonit, Brajën Uitman pohon se ekipi i ushtarakëve mbërriti në Tbilisi mbrëmë vonë, për të punuar me zyrtarë lokalë dhe me punonjës të ambasadës amerikane në Gjerogji, për vlerësimin e nevojave humanitare. Po ashtu, dje mbërriti në Tbilisi edhe avioni i parë me ndihmat amerikane, me batanije, ilaçe dhe pajisje të tjera të emergjencës. Për sot është në plan të dërgohet një tjetër avion me ndihma dhe për ditët që do të vijnë, zoti Uitman tha se ekipi i ushtarakëve amerikanë do të përcaktojë ndihmat që nevojiten për më tutje.

"Sekretari i Mbrojtjes do të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e Departamentit që ai i sheh të nevojshme për realizimin e misionit që na ka dhënë Presidenti."

Zëdhënësi Uitman tha se nuk kishte informacionin e nevojshëpm për të thënë se kur do të shkojë ekipi i ushtraakëve në zonën e luftës, brenda dhe përreth Osetisë Jugore. Zyrtarët e Pentagonit e kundërshtuan një deklaratë të presidentit gjeorgjian, që sipas njoftimeve, ka thënë se forcat amerikane do të marrin përsipër operimin e aeroporteve dhe të porteve të vendit.

Ndihmat e emergjencës të komandës ushtarake amerikane për Evropën, me bazë në Gjermani, ishin nisur për në Gjeorgji, kur Presidenti Bush bëri të njohur se e kishte urdhëruar Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gejts të udhëhiqte dërgimin e ndihmave amerikane të emergjencës në Gjeorgji.

"Ky mision do të jetë i fuqishëm dhe ai do të vazhdojë. Një avion ushtarak amerikan i i tipit C-17 me ndihma humanitare është nisur për në Gjerogji. Ditët e ardhshme ne do të dërgojmë avionët dhe anijet tona me ndihmat humanitare dhe ilaçe," - tha Presidenti.

Një avion i tipit C-17 ka kapacitetin të mbajë deri në 77 mijë kilogramë mallra. Presidenti tha se në përpjekjet e shpëtimit, po ashtu mund të përdoren edhe forcat detare, por nuk dha hollësi.

Presidenti Bush i njoftoi autoritetet ruse, të mos ndërhyjnë tek përpjekjet amerikane të shpëtimit.

"Ne presim që Rusia ta mbajë zotimin e saj, për të lejuar hyrjen e të gjitha formave të ndihmave humanitare në Gjeorgji. Presim që Rusia t'i sigurojë të gjitha linjat e komunikimit dhe të transportit, përfshi portet detare, aeroportet; rrugët dhe hapësirat ajrore, shpresojmë të mbeten të hapura për dërgimin e ndihmave humanitare dhe kalimin e civilëve," - tha Presidenti.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i anuluan planet për zhvillimin e manovrave e përbashkëta të forcave detare amerikane me ato ruse, që ishte caktuar të fillonte ditët e ardhshme pranë portit rus të Vladivostokut. Zëdhënësi i Pentagonit, Brajën Uitman, e konfirmoi anulimin e manovrave, ku do të përfshiheshin edhe forcat britanike dhe ato franceze.

"Manovrat u anuluan, për arsye se thjesht ishte e papërshtatshme, duke patur parasysh gjendjen e tanishme."

Zoti Uitman tha se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie ushtarake të fuqishme me Gjeorgjinë dhe e cilësoi këtë vend një "aleat të mirë." Gjeorgjia kishte 2 mijë trupa në Irak, deri në momentin kur kriza aktuale i detyroi ato të kthehen në vendin e tyre dhe Shtetet e Bashkuara siguruan transportimin e tyre. Zoti Uitman tha se lidhjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjeorgjisë do të vazhdojnë dhe Shtetet e Bashkuara do t'i ndjekin me kujdes nevojat e Gjerogjisë pas konfliktit. Që prej disa kohësh, në Gjeorgji ka patur një ekip amerikan për stërvitjejen ushtarake, për të cilin zëdhënësi Uitman tha se ka qenë më pak se 100 vetë.//lk



XS
SM
MD
LG