Lidhje

Tanket ruse zënë pozicione në periferi të Gorit


Tanket ruse zunë pozicione në periferi të qytetit strategjik të Gorit, në Gjeorgjinë qëndrore, pas një krize me autoritetet gjeorgjiane, të cilët po përpiqeshin të rihynin në zonën thuajse të braktisur.

Dëshmitarët thanë se autoritetet gjeorgjiane u detyruan të tërhiqen nga qyteti me 50 mijë banorë, pasi ata nuk pranuan të mbështesnin një propozim që policia e Osetisë Jugore të patrullojë qytetin. Nuk është e qartë se kur dhe nëse kriza u zgjidh. Megjithatë nuk ka njoftime për përleshje.

Në perëndim, dëshmitarët thanë se trupat ruse u kthyen përsëri në portin e Potit në Detin e Zi. Imazhet televizive treguan të paktën katër mjete të marinës që forcat ruse kanë bombarduar gjatë dy ditëve të fundit.

Në Uashington, zyrtarët amerikanë që kërkuan të mos identifikohen thanë se forcat ruse po çaktivizojnë instalimet ushtarake të Gjeorgjisë.

Parlamenti gjeorgjian votoi sot për tërheqjen nga Bashkimi i Shteteve të Pavarura, grupim i republikave ish-sovjetike.

Në Moskë, presidenti rus Dmitri Medvedev u takua me udhëheqës të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë. Ata ritheksuan kërkesat e tyre për pavarësi nga Gjeorgjia.

XS
SM
MD
LG